MENU
klinika

Lind një forcë e re politike

Adriatik Lapaj prezanton “Shqipëria bëhet”: Të bashkohemi për demokratizimin e vendit

18.09.2023 - 19:42

Ka lindur një forcë e re politike në vendin tonë, ku avokati Adriatik Lapaj ka prezantuar sot lëvizjen ‘Shqipëria bëhet’.

Pjesë e kësaj force politike janë avokati Adriatik Lapaj, aktori Florjan Binaj, aktivistja Edlira Çepani dhe aktori Genti Kame.

Gjatë fjalës së tij, Lapaj është shprehur se nisja e këtij rrugëtimi ishte vendimi më i vështirë që ka marrë ndonjëherë. Ai shtoi se në vend duhet të hapet gara politike dhe të miratohet ligji për referendumet duke sjellë demokracinë e drejtpërdrejtë.

Lapaj po ashtu theksoi se duhet bashkim për demokratizimin e vendit, reagim dhe qëndrueshmëri.

“Nuk do ju tregoj si është Shqipëria dhe si arritëm në këtë gjendje. Sot do ju flas si mund ta ndryshojmë dhe ta bëjmë një vend normal Shqipërinë. Unë besoj te cilësia e individit, por që ky i fundit të performojë duhet të garantohet shpërfaqja e tij në shoqëri.

Për të siguruar rregullat na duhet shoqëria. Na duhet të shkëpusim shoqërinë nga koncepti i mikut, partisë, etj. Të drejtën e studimit duhet ta japë ligji, vendin e punës duhet të fitosh në bazë të ligjit. Kujdesin shëndetësor duhet ta kesh në bazë të ligjit. Rimbursimet duhet të sigurohen nga ligji.

Duhet të shembim sistemin e kapjes së ekonomisë së shtetit nga pak duar. Kujtoj këtu ligjin për koncesionet, ligjin për PPP. Duhet të rishpërndajmë pasurinë e vendit përmes një kuadri të ri ligjor. Për të arritur këtu, duhet të shkojmë aty ku ka burimin problemi.

Duhet të hapim garën politike. Nëse s’ka garë politike, s’mund të ketë asnjë garë tjetër në vend. Populli sot është dekor i një republike që komandohet nga kolltukët e Tiranës. Duhet të miratojmë ligjin për referendumet dhe të sjellim demokracinë e drejtpërdrejtë. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit.

Askush nga ne nuk ka fuqi të mbinatyrshme. Qytetarët shqiptarë, nëse bashkohemi ne mund t’ia dalim. Askush të mos presë të dërguarin e Zotit të shpëtojë jetët tona. Duhet organizim për qëllimin tonë. Ky është vendimi më i vështirë që më është dashur të marr ndonjëherë. Mund të isha ulur në kolltukë si ata të tjerët, por besoj se meritojmë një të ardhme tjetër. Deri sot pesha e përgjegjësisë ishte mbi mua, por nga sot ne jemi ne”, u shpreh ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


VOA: Mjekët të shqetësuar mbi trajtimin në sistemin publik shëndetësor!

Numri i sëmundjeve cerebrovaskulare është dyfishuar përgjatë tre dekadave

"Nuk ka të verbër më të madh se ai që nuk do të shikojë"

Zgjedhjet e 14 Majit, Lapaj: Askush të mos ia hedh fajin popullit