Albin Kurti doli hapur një ditë më parë kundër të dërguarit të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, duke thënë se Mirosllav Lajçak, u pozicionua kundër Kosovës në takimin mes palëve të zhvilluar javën që shkoi.
Megjithatë, duket se kryeministri i Kosovës nuk e ka mbështetjen e SHBA-së në këtë qëndrim të tij. Departamenti Amerikan i Shtetit i vlerësoi përpjekjet e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Europian në bisedimet Prishtinë-Beograd. Në përgjigjen ndaj një kërkesë të Zërit të Amerikës për një reagim rreth pohimeve të Kurtit, zëdhënësi i DASH-i nuk konfirmoi e as nuk mohoi mbërritjen e letrës që kryeministri tha se u kishte dërguar vendeve kryesore perëndimore mbi këtë çështje teksa akuzonte Lajçak për “deformim të procesit”.
Por ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ngushtësisht me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe se falenderojnë dhe njohin përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak.
Nga ana tjetër, zëdhënësi shprehu zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.
“Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ishte komenti i tij ndërsa shtoi se SHBA-ja do të konsultohet me partnerët evropiane mbi hapat e ardhshëm.