MENU
klinika

Erion Dasho: Mijëra përdorues pa trajtim

“Shqipëria e humbi pjesën e parë të luftës kundër drogës”

20.09.2023 - 12:19

Në kohën kur “djemtë e shkathët” ngjitën shkallët e hierarkisë dhe nga spaçatorë droge në rrugica dhe stacione, u bënë togerë e kapitenë, për të kaluar më pas në gjeneralë të trafiqeve, shoqëria shqiptare në vend të alarmit u pushtua një ndjenjë euforie.

Paratë e trafiqeve ku droga nuk matej me kilogramë, por me tonë vërshuan në ekonominë shqiptare, e cila hyri në lulëzim.

Duke u bazuar tek shembujt e vendeve të tjera që kishin kaluar nëpërmjet të njëjtit stad “zhvillimi”, në atë kohë bëra dy parashikime të trishta:

Së pari, në një afat të shkurtër, do të kishte një rritje eksponenciale të numrit të përdoruesve të drogës.

Mekanizmi është i thjeshtë. Jo e gjithë droga e destinuar për trafik, arrin të kalojë në destinacion. Një pjesë mbetet në Shqipëri dhe trafikantëve u duhet t’i gjejnë vendin. Një sasi disa qindra kilogramësh që kalon në tregun lokal ose atë rajonal, përkthehet në mijëra përdorues të rinj.

Së dyti, në një afat të mesëm apo të gjatë, bandat e trafikut akumulojnë para dhe pushtet të jashtëzakonshëm. Teknologji po se po. Në kushtet e një shteti që nuk ka më as ushtri, as shërbime të fshehta dhe as polici, fuqia e mafies e kalon fuqinë e shtetit dhe bëhet forca dominuese.

Në fillim bashkëjetesa duket e mundur. Shembulli më i afërt me ne gjeografikisht është krimi i organizuar italian, mafia, ndrangheta, etj. Në fazën pasardhëse krimi detyrimisht përplaset me shtetin dhe këtu pasojat janë të paparashikueshme.

Italia ishte fuqia e pestë botërore kur nisi luftën me mafien. Askush nuk mund të thotë sot se lufta me mafien u fitua, por të paktën shteti italian nuk u rrënua nga kjo luftë.

Vende më të ngjashme me Shqipërinë për nga forca e shtetit do të ishin Taxhikistani, Salvadori, etj., të cilët janë plotësisht nën kontrollin dhe mëshirën e trafikantëve të drogës.

Pjesa e parë e parashikimit sot është bërë realitet. Dje një lajm portalesh tregonte se në Shqipëri janë disa dhjetëra mijëra përdorues droge. Nevojat e tyre për shërbime shëndetësore dhe sociale janë të jashtëzakonshme, por asnjë prej tyre nuk arrin të përballohet nga strukturat publike ose private.

Para 22 vjetësh, kur koordinoja grupin e punës që hartoi strategjinë e kontrollit të HIV/AIDS-it, vizituam qendra të trajtimit të përdoruesve të drogës në Poloni, Lituani dhe Gjermani. Këto vende kishin dhjetëra vjet që punonin dhe kishin krijuar në atë kohë një traditë të konsoliduar, me programe, struktura dhe qindra ekspertë.
Natyrisht, këto struktura nuk mjaftonin për të trajtuar të gjithë përdoruesit e drogës, por të paktën kur një përdorues kishte probleme të rënda shëndetësore, ose vendoste të shkëputej nga droga, kishte se ku trokiste dhe problemi i tij/saj trajtohej me profesionalizëm.

Para 10 vjetësh, rasti e solli sërish të punoja në një nga vendet e Gjirit Persik, vend i cili ishte zënë i papërgatitur përballë epidemisë së varësisë nga droga. Për një spital të vetëm, të ndërtuar sipas modelit të spitaleve në Europë dhe Amerikën e Veriut, u shpenzuan disa qindra milionë dollarë vetëm për ndërtimin. Sot kosto e përgjithshme që përfshin edhe shpenzimet operacionale mund të ketë kaluar miliardin.

Para 10 vjetësh, trajtimi multidisiplinar i një personi të prekur nga varësia ndaj drogës në klinikat private luhatej nga 100,000 dollarë në muaj (p.sh. në disa klinika arabe) deri në 200,000 dollarë e më tepër në disa klinika të njohura në SHBA. Sot, sigurisht, këto shifra janë tejkaluar.

Shqipëria mund të them me bindje të plotë se e ka humbur betejën me drogën në aspektin e kujdesit shëndetësor dhe social për përdoruesit. Sot nuk ka jo struktura, por as edhe një model të vetëm suksesi që të ofrojë kujdesin e integruar që është i domosdoshëm për të trajtuar përdoruesit e drogës.

Nuk mund të flas me kompetencë për parashikimin tjetër të zymtë, atë të dorëzimit të shtetit përballë trafikantëve. Uroj që ndonjë prej njohësve të kësaj fushe të shprehet me analiza ose komente edhe për këtë aspekt.
***
Siç deklarova më lart, shteti shqiptar e ka humbur pjesën e parë të luftës kundër drogës. 50 apo 60 mijë shqiptarët përdorues të drogës, nuk kanë asnjë shans të përfitojnë nga metodat bashkëkohore të trajtimit të sëmundjes nga e cila vuajnë (prej vitesh, OBSH e klasifikon varësinë nga droga si sëmundje të mirëfilltë kronike).

Nëse nuk investohen disa qindra milionë dollarë menjëherë, situata nuk ka gjasë të vihet në rrugën e zgjidhjes edhe në 10 vitet e ardhshme.

Me shumë mundësi, edhe pjesa e dytë e parashikimit, ajo e konfliktit të hapur midis bandave të trafikantëve dhe shtetit, do të nisë shumë shpejt. Atëherë, me plot gojën mund të thuhet: “Mjerë shqiptarët”…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shkurti do të jetë muaji më i rrezikshëm i epidemisë në Shqipëri”

Eksperti Erion Dasho rendit masat që duhen marrë: Nëse nuk veprohet me urgjencë…

"Kjo duhet të na alarmojë më shumë se kurba e Covid-19"

Eksperti i njohur jep paralajmërimin e frikshëm për Shqipërinë

"Ky është trinomi që duhet të aktivizohet me patjetër"

“Koha për veprim është tani”