MENU
klinika

Policia 20 mijë euro shpërblim për informacion për çon në kapjen e tij

Qëlloi me dy plumba në bark efektivin, 42-vjeçari i armatosur ende në arrati!

21.09.2023 - 09:54

Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin pasditen e djeshme teksa një efektiv i repartit Shqiponja është plagosur me dy plumba nga një person që po ndiqej prej tyre.

Grupi i punonjësve të policisë ka marrë informacion se një qytetar po lëvizte i armatosur dhe pas sinjalit ata i janë vënë në ndjekje por janë përballur me hapje zjarri nga ana e personit e për pasojë efektivi Edlir Alleshi është plagosur rëndë.

Ai është nisur me urgjencë për në spitalin e Traumës, ku deri orëve të vona i është nënshtruar operacionit ndërkohë që gjithë Policia e Tiranës është ngritur në këmbë për të bërë të mundur arrestimin e autorit. Bëhet fjalë për 42 vjeçarin Klerent Bozhanaj, nga Tirana, person pa të shkuar kriminale, i cili dyshohet se është larguar me një automjet.

Ministri i Brendshëm pak çaste pas ngjarjes i bëri thirrje të dorëzohet por pas disa orë kërkimesh policia u detyrua të shpërndante foton e agresorit dhe njoftoi se personi ishte me rrezikshmëri të lartë për shkak se ishte i armatosur dhe dyshohet se vuan nga çrregullime të shëndetit mendor.

Policia kërkoi mbrëmë ndihmën e qytetarëve kundrejt një shpërblimi prej 20 mijë eurosh, ndërsa deri afër mesnatës nuk u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes së tij.

KRYEPOLICI I TIRANËS

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka dhënë një deklaratë për shtyp pas plagosjes me armë zjarri të efektivit “Shqiponja”. Vocaj tha se nga informacionet paraprake Bozhanaj mund të ketë shenja të theksuara depresioni.

“Policia dhe RENEA janë mobilizuar për kapjen e autorit i cili quhet Klered Bozhanaj i datëlindjes 1981. Ky person është i armatosur dhe ka shenja të theksuara depresioni. Vazhdojnë veprimet e policisë. Po komandojmë me familjarët. Policia vendos shumën 20 mijë euro për informacion të vlefshme që çon në kapjen e autorit. Ne nuk kemi shumë të dhëna për momentin. Dimë që ky person ka qenë emigrant në Itali është kthyer në gusht në Shqipëri. Nga hetimet e deritanishme është evidentuar fakti që ka shenja depresive dhe nuk kemi të dhëna për përfshirje në aktivitet kriminale“, u shpreh Vocaj.

SHPËRBLIMI PËR INFORMACION

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga RENEA, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit K. Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A. Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.