Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, prezantoi në Kuvend projektligjin për “skemat private të pensioneve”.
Ky projektligj sipas Metes adreson një sërë problematikash ndaj dhe janë bërë disa ndryshime, që nga hera e fundit e kalimit në Kuvend.
Ndër pikat më të rëndësishme, thotë ministri është rritja e transparencës, e cila parashikon detyrimin e shoqërive private që të ofrojnë akses për anëtaret të cilët duan të kontrollojnë asetet, llogaritë apo lëvizjet e tyre.
Një tjetër pikë e rëndësishme e cilam prezantohet si risi është ulja e komisionit vjetor të administrimit të fondit. Ministri i Ekonomisë deklaroi se në asnjë rast ky komision nuk mund të kalojë 2.5 përqind të vlerës së aktiveve neto të pensionit.
“Ligji adreson një sërë problematikash. Risitë në projektligj parashikon dy forma të fondeve të pensionit, atë me pjesëmarrje të hapur dhe të mbyllur.
Fondi me pjesëmarrje të hapur nuk parashikon kufizime në anëtarësim. Anëtarë mund të jetë çdo individ, i cili zgjedh të kontribuojë në fondin e krijuar nga shoqëria administruese ndërsa fondi me pjesëmarrje të mbyllur, mund të krijohet nga një ose disa punëdhënës, apo entitet, sindikatë, në cilësinë e sponsorit. Pjesëmarrja është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të përmendura.
Rritja e transparencës dhe informacionit ndaj anëtarëve të fondit. Është parashikuar detyrimi i shoqërisë që t’ju mundësojë anëtarëve akse për të kontrolluar numrin çmimin e kuotave, vlerën e aseteve në llogarinë personale, shumat e pagesave të bëra si dhe kthimin nga investimi.
Të informojë anëtarët tre muaj para daljes në pension dhe opsionet e pagesës së pensioneve. Ulja e komisionit vjetor të administrimit të fondit. Nuk mund të kalojë ë asnjë rast 2.5 përqind të vlerës së aktiveve neto të pensionit nga 3 që parashikon ligji ekzistues.
Shoqëria administruese duhet të zbatojë rregullat, përmes së cilave synohet forcimi i qeverisjes së shoqërisë, përmes një sistemi më efektiv drejtimi.
Parashikohen politika lehtësimi fiskale. Rritje të kufirit të kontributit të anëtarit që përjashtohet nga tatimi, kufiri maksimal mujor është deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi”, tha Mete nga Foltorja e Kuvendit.
Fjala e Ervin Metes
Projektligji “Për fondet e pensionit privat” që propozohet sot për miratim ka si qëllim përmirësimin e bazës ligjore dhe rregullon tregun e fondeve të pensionit privat, për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e këtij tregu dhe nxitjen e kursimeve për pension. Ky projektligj transpozon në të drejtën e brendshme Direktivën e Bashkimit Evropian (IORP II), si dhe parimet e modelet më të mira në fushën e pensioneve private.
Skemat private të pensioneve janë një instrument i dobishëm dhe i nevojshëm për rritjen e kursimeve për pension duke përmirësur standardin e jetesës përmes ofrimit të një pensioni shtesë, krahas pensionit të përfituar nëpërmjet skemës publike të pensioneve.
Nisur nga stadi aktual i zhvillimit të këtij tregu, lind nevoja e nxitjes së pjesëmarrjes në fondet private të pensioneve, përmes një rregullimi që rrit besimin e investitorit, si dhe përmes krijimit të lehtësive fiskale, apo elementëve të tjerë të domosdoshëm që nxisin kursimin për pension.
Sipas të dhënave për periudhën 30.06.2023, totali i aseteve neto të fondeve të pensionit privat arriti në rreth 6,2 miliardë lekë, ndërsa numri i anëtarëve rezultoi rreth 37,600, me një rritje prej afro 3% krahasuar me fundin e vitit 2022. Me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të këtyre skemave lind domosdoshmëria e përmirësimit të kuadrit ligjor për të krijuar incentivat e mëtejshme për zgjerimin e pjesëmarrjes dhe për të rritur besimin e anëtarëve dhe investitorëve në këtë treg dhe tek operatorët e tij.
Ligji adreson një sërë problematikash dhe mangësi të ligjit ekzistues, të miratuar në vitin 2009 dhe të pandryshuar apo përmirësuar gjatë gjithë këtyre viteve.
Efektet që synohet të arrihen nëpërmjet miratimit të këtij akti janë:
1. Mbrojtja e interesave të anëtarëve të fondit të pensionit privat, nëpërmjet vendosjes së standardeve më të larta për mirëinformim dhe transparencë, që nxisin besueshmërinë e investitorit në tregun e fondeve të pensionit privat;
2. Nxitja e pjesëmarrjes në skemë nëpërmjet rishikimit të politikës tatimore, me synim krijimin e lehtësive fiskale për anëtarët ekzistues apo të mundshëm, si dhe përfituesit e fondit;
3. Zhvillimi i tregut të pensioneve private dhe nxitje të konkurrencës në shërbim të interesit më të mirë për anëtarët dhe përfituesit e fondit.
4. Forcimi i kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator përmes kërkesave për licencimin, mbikëqyrjen e shoqërive administruese të fondeve të pensionit, përfshirë rregullimin e aktivitetit ndërkufitar, si dhe kërkesat lidhur me zbatueshmërinë e detyrimeve ligjore;
5. Rritja e profesionalizimit në administrimin e fondeve të pensionit privat nga ana e shoqërive administruese, përmes rritjes së kërkesave për qeverisjen e shoqërisë administruese dhe përshtatshmërinë e personelit kyç, krijimin e sistemit të administrimit të rrezikut, përfshirë analizën e vetëvlerësimit dhe sistemit të kontrollit të brendshëm.
6. Krijimi i alternativa të reja për punëdhënësit lidhur me krijimin e skemave private për punonjësit e tyre;
7. Rritje e cilësisë së produktit dhe shërbimit ndaj klientit përmes mirëadministrimit të fondeve të pensionit privat nga ana e shoqërive administruese;
Më tej disa nga risitë që sjell ky projektligj:
Projektligji parashikon dy forma të fondeve të pensionit: “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” dhe “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur”, siç parashikohet edhe në direktivën IORP II të Bashkimit Europian.
Fondi me pjesëmarrje të hapur krijohet nga shoqëria administruese dhe nuk parashikon kufizime në anëtarësim. Anëtarë të këtij fondi mund të jetë çdo individ, i cili zgjedh të kontribuojë në fondin e krijuar nga shoqëria administruese, përfshirë punëmarrësit dhe punëdhënësit.
Fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit të cilët krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur. Pjesëmarrja në këtë fond është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.
Krijimi i fondit me pjesëmarrje të mbyllur merr rëndësi të veçantë për zhvillimin e tregut privat të pensioneve në vend, pasi në këtë mënyrë shoqëritë shqiptare nxiten që përmes mundësisë për negocim me shoqëritë administruese të krijojnë fonde pensioni për punonjësit e tyre, duke sjellë rritjen e pjesëmarrjes në këto skema.
Një risi tjetër e ligjit është rritja e transparencës dhe informacionit ndaj anëtarëve të fondit. Në kuadër të rritjes së transparencës është parashikuar detyrimi i shoqërisë:
t’u mundësojë anëtarëve akses në llogarinë e tyre për të kontrolluar në çdo kohë numrin e kuotave, çmimin e kuotës të asaj dite, vlerën e aseteve në llogarinë personale, datat, shumat e pagesave të bëra nga anëtari, punëdhënësi ose sponsori, kthimin e investimit. Kjo është një risi e rëndësishme e ligjit.
t’u vendosë në dispozicion anëtarëve prospektin e fondi dhe raportet më të fundit vjetore, si dhe pasqyrat financiare të audituara, sipas kërkesës dhe pa pagesë për secilin fond në anëtarësim;
të informojë anëtarët 3 muaj përpara daljes në pension mbi vlerësimin e llogarisë individuale dhe opsionet e pagesës së pensionit.
Një tjetër risi e parashikuar në projektligji është ulja e komisionit vjetor të administrimit të aktiveve të fondit. Komisioni vjetor për administrimin e fondit të pensionit nuk mund të kalojë në asnjë rast 2.5% të vlerës të aktiveve neto të fondit të pensioni (nga 3% që parashikon ligji ekzistues)
Projektligji ka parashikuar dispozita mbi veprimtarinë promovuese të fondeve të pensionit dhe publikimin e performancës së fondit të pensionit, duke rritur ndjeshëm kërkesat për transparencë me qëllim mirëorientimin dhe mirëinformimin e investitorëve.
Mungesa e këtyre dispozitave në ligjin aktual, pra ato që rregullonin informimin, marketingun dhe veprimtarinë promovuese të fondit, e bënte më pak të njohur këtë treg për individët dhe punëdhënësit që duan të kontribuojnë për punëmarrësit e tyre. Për këtë arsye, parashikimi i një kapitulli të veçantë në lidhje me veprimtarinë promovuese të fondit të pensionit përbën një tjetër avantazh të projektligjit që propozohet për miratim.
Risi tjetër janë rregullat mbi qeverisjen e shoqërive administruese. Shoqëria administruese duhet të ketë dhe të zbatojë procedura të shkruara, në lidhje me administrimin e rrezikut, auditin e brendshëm, si dhe veprimtaritë e deleguara. Nëpërmjet këtyre rregullave synohet forcimi i qeverisjes së shoqërisë, përmes një sistemi më efektiv drejtimi, kontrolli të brendshëm dhe një sistemi të konsoliduar të menaxhimit të rrezikut.
Më tej, projektligji parashikon politika lehtësuese fiskale për nxitjen e pjesëmarrjes në fondet e pensionit privat, të cilat pritet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e tregut të pensioneve private. Projektligji parashikon një rritje të kufirit të kontributit të anëtarit që përjashtohet nga tatimi si dhe rritje të kufirit të shpenzimeve që i njihen punëdhënësit kur kontribuon për punëmarrësit e tij. Kufiri maksimal mujor, që për qëllime të lehtësive tatimore përjashtohet nga tatimi, është deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi.
Projektligji parashikon gjithashtu lehtësi fiskale edhe për pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit. Sot sipas ligjit në fuqi, pagesat e marra nga anëtari i fondit tatohen me normën e të ardhurave personale 15%, njëlloj si çdo e ardhur tjetër, ndërsa ajo që propozohet dhe parashikohet në projektligj është që pagesat e marra nga anëtari i fondit në mënyrë periodike mujore, në formë pensioni, të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet, pra që të zgjatet dhe koha e marrjes së pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale.
Ndërsa pagesat e marra në mënyrë të menjëhershme, për të gjithë vlerën e aseteve të akumuluara, do të tatohet me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale. Një parashikim i tillë synon të nxisë pagesa periodike në formë pensioni dhe të realizojë kështu qëllimin kryesor të projektligjit, atë të sigurimit të një pensioni shtesë për moshën e pleqërisë.
Projektligji gjithashtu ofron alternativa për krijimin e një portofoli investimi më të diversifikuar, për të bërë të mundur rritjen e kthimit nga investimi. Kjo synohet të realizohet përmes zgjerimit të listës së instrumenteve financiare, ku mund të investohen asetet e fondit të pensionit, duke përfshirë: tituj borxhi të emetuara nga bankat, që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar, si dhe aksione ose kuota të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike.
Projektligji vendos kufizime për ekspozimin, duke përcaktuar përqindjen e lejuar të aktiveve, që mund të investohen në çdo instrument.
Gjithashtu, në përputhje me kërkesat e direktivës, shoqëria administruese në hartimin e politikës së investimit për fondet e pensionit privat mund dhe duhet të marrë në konsideratë faktorët mjedisorë, shoqërorë dhe qeverisës të shoqërisë, faktorët ESG, risi kjo për tregun e pensioneve private.
Projektligji i është nënshtruar një procesi të gjerë konsultues, me aktorët e tregut dhe palët e interesit. Gjithashtu, është marrë në konsideratë ekspertiza shumë e vlefshme e Bankës Botërore për hartimin e tij.
Projektligji plotëson dhe modernizon më tej kuadrin ligjor për tregjet financiare jobankare në vend, të përafruar në masë të gjerë tashmë me Direktivat Evropiane, kjo e konstatuar dhe e vlerësuar edhe në takimet e mbajtura në Bruksel në kuadër të negociatave.
Dy ligjet e tjera që ky Parlament ka miratuar, ato “Për tregjet e kapitalit” dhe “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, shoqëruar me aktet përkatëse nënligjore, jo vetëm kanë rritur standardet, por edhe kanë sjellë zhvillime të rëndësishme në tregun financiar jo bankar në vend. Për gjitha arsyet e parashtruara më sipër, si dhe me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve private të pensionit, si një alternativë shtesë kursimi, do ju ftoja të gjithëve ta mbështesni këtë projektligj.