MENU
klinika

Analiza

Kush është Girkin, njeriu që po tund themelet e Kremlinit

22.09.2023 - 08:30

Ish-udhëheqësi i separatistëve pro-rusë në Ukrainë, Igor Girkin parashikoi nga qelia e tij e burgut se Rusia së shpejti do të shembet. Girkin u arrestua dy muaj më parë për kritikat ndaj Presidentit Vladimir Putin dhe e quajti atë një ” frikacak mediokër”. Ky ish-operativ i FSB-së, i cili përdor edhe emrin ushtarak Strelkov, që në rusisht do të thotë shigjetar, përmes avokatit të tij tha se Rusia është në prag të kolapsit. Gjithashtu, ai u ofrua si një forcë bashkuese për ‘patriotët’ e mbetur. Blogeri ultranacionalist është shprehur disa herë se Putini dhe gjeneralët e tij nuk kanë arritur mjaftueshëm në luftën në Ukrainë, madje duke bërë thirrje për mobilizimin e plotë të popullsisë ruse. Tre javë pasi gjykata e Moskës vendosi se Girkin do të qëndrojë në burg, të hënën, me ndihmën e avokatit të tij, ai publikoi një mesazh në Telegram nga paraburgimi në Lefortovo. Girkin, i cili dikur drejtonte një grup militantësh rusë në Donetsk, akuzoi autoritetet ruse për dështimin për t’iu përgjigjur problemeve dhe sfidave më urgjente të vendit, duke paralajmëruar se problemet e Rusisë së shpejti do të hynin në një ‘fazë terminale’ që do të çonte në kolapsin e të gjithë sistemit. Girkin përmendi gjithashtu liderin e grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq në një aksident avioni afër Moskës muajin e kaluar, duke thënë se rebelimi i dështuar i liderit mercenar kundër udhëheqjes ushtarake ruse në qershor shënoi fillimin e kësaj faze akute të “problemeve” të Rusisë dhe vrasja e mundshme e Prigozhinit tregonte vazhdimin e konflikteve të brendshme në Rusi.

Putin do të bjerë, ja kush e merr pushtetin

Girkin parashikon më tej se sistemi aktual i pushtetit rus do të bjerë përfundimisht në duart e ‘të ashtuquajturës opozitë liberale’. Ai beson se është detyra e tij  edhe nga burgu të ofrojë një alternativë dhe të bashkojë popullin e mbetur patriot të Rusisë. “Unë jam plotësisht i vetëdijshëm për të gjitha dobësitë e pozicionit tim aktual dhe se nuk i kam burimet e nevojshme dhe nuk e mbivlerësoj aspak shkallën e autoritetit dhe ndikimit tim”, ka shkruar Girkin. “Megjithatë, dikush duhet të ngrihet së pari, qoftë vetëm për të dhënë një shembull dhe për t’i thirrur të tjerët në veprim.” Komentet e Girkinit vijnë në një kohë kur konfrontimet e ndërsjella po shpërthejnë në Rusi dhe në mes të kundërofensivës ukrainase. Shefi i inteligjencës së Ukrainës tha për The Economist këtë javë se Rusisë po i mbarojnë fuqia punëtore dhe armët që i nevojiten për të vazhduar luftën. “Mendoj se është tepër vonë për t’u frikësuar dhe për të pritur, jemi në prag të kolapsit të shtetësisë ruse (Zoti na ruajtë të gaboj!),” shkroi Girkin në një postim në Telegram.

Kush është Girkin?

Girkin, 52 vjeç, një ish-kolonel i shërbimeve të brendshme të inteligjencës ruse (FSB), udhëhoqi forcat secesioniste pro-ruse në republikën e vetëshpallur të Donetskut në Ukrainë në vitin 2014. Autoritetet e Kievit e akuzojnë atë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe ai u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm në mungesë për rrëzimin e një avioni malajzian me 298 persona në bord në vitin 2014 në Donbass. Ai është aktualisht në burg, me akuzën e “nxitjes së ekstremizmit” sepse ka vënë në dukje jo me shumë dashamirësi joefikasitetin e komandave ushtarake dhe të vetë Kremlinit, që sipas tij duhet ta kishte shtypur ushtrinë ukrainase shumë kohë më parë. Girkin nuk është i burgosuri i parë i profilit të lartë në sistemin penal rus që ka akses të dukshëm në internet. Aktivisti kundër korrupsionit dhe avokati Alexei Navalny ka qenë gjithashtu në gjendje të bëjë kritika ndaj Putinit, pavarësisht se ishte i burgosur. Girkin premton të jetë më i poshtër dhe më i pamëshirshëm se kundërshtari i tij, i paaftë për të treguar veten, lidhur me drejtuesit ushtarakë, të cilët, që pavarësisht “paaftësisë” së treguar nga forcat e armatosura, inteligjenca dhe kompleksi ushtarako-industrial, “mbetën në vendin e tyre”, pa u shkarkuar. Putin madje akuzohet nga Gurkin se është “shumë i sjellshëm” dhe i prirur të “joshet” nga premtimet perëndimore për një zgjidhje paqësore të çështjes së Donbass si nga Obama, Trump, Macron, Merkel, Poroshenko apo Zelensky. “Unë kurrë nuk besova asnjë fjalë nga ato që thanë,” thotë Girkin.