Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 33-vjeçarit Valter Fjerza në fshatin Hoti i Ri në Shkodër, i cili shkoi në vendin e krimit për të ndihmuar vëllain e tij, Klevis Fierza, ndërsa mbeti i vrarë me plumb në kokë.
Klevis Fierza, disa minuta para vrasjes së vëllait të tij, ishte konfliktuar ashpër me tre vëllezërit Klodjan Mëhillin, Paolo Mëhillin, Luçian Mëhillin, kushëririn e tyre Aleksandër Mëhillin dhe Enton Dushaj.
Mësohet se shkak i sherrit ishte bërë debati për parkimin e një automjeti, ku njëri nga vëllezërit Mëhilli, Klodjan Mëhilli, në konflikt e sipër ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë duke ja vendosur në gjoks, Klevis Fjerzës.
Gjatë këtij momenti kanë ndërhyrë dy shokët e Fjerzës, Gjok Qukaj dhe Agostin Lugaj, duke bërë të mundur heqjen e pistoletës nga dora e Klodjan Mëhillit. Armën, ata e kanë hedhur rreth 60 metër larg vendit të ngjarjes, me qëllim për të shmangur ndonjë pasojë më të rëndë.
Ndërkohë, vëllai i Klevisit, Valter Fierza është nisur në drejtim të ngjarjes me një automjet foristradë tip “Nissan Navara”.
Por në të njëjtën kohë, pasi Klodjan Mëhillit ia flakën pistoletën nga duart, ai ka shkuar në makinën e tij, dhe ka marrë një armë tjetër automatike kallashnikov, të cilën e mbante në makinë.
Pasi mori armën, Mëhilli ka qëlluar në drejtim të automjetit që drejtohej nga Valter Fjerza, ku si pasojë e të shtënave, ky i fundit ka marrë plumb në kokë, duke humbur jetën në vend.
Menjëherë pas vrasjes tre vëllezërit Mëhilli dhe dy kushërinjtë e tyre Aleksandër Mëhilli dhe Enton Dushaj, janë larguar nga vend i ngjarjes.
Një ditë më parë policia ka arrestuar vetëm Paolo Mëhillin, ndërsa në kërkim u shpallën edhe katër shtetas të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë: Aleksandër Mhilli, Paulo Mhilli, Luçiano Mhilli dhe Enton Dushaj, që janë vëllai dhe kushërinj të autorit.
Aktualisht është sekuestruar vetëm arma tip pistoletë, ndërsa kallashnikovi me të cilën u krye vrasja nuk është gjendur ende.
“Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, jashtë një lokali, u vra me armë zjarri një 33-vjeçar. Policia identifikon dhe shpall në kërkim 24-vjeçarin që dyshohet se qëlloi me kallashnikov, në drejtim të automjetit me drejtues 33-vjeçarin. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 4 shtetas të tjerë, të dyshuar të përfshirë në konflikt.
Gjenden dhe sekuestrohen një armë zjarri pistoletë që dyshohet se e posedonte 24-vjeçari dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje. Si rezultat i punës intensive hetimore, të kryer nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmë, rreth orës 21:48, në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, u vra me armë zjarri kallashnikov, shtetasi V. F., është bërë e mundur zbardhja e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimi i shtetasve të përfshirë në të.
Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. M., 24 vjeç, A. M., 23 vjeç, P. M., 22 vjeç dhe L. M., 20 vjeç, të gjithë banues në fshatin Hot i Ri, si dhe shtetasi E. D., 38 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta 5 shtetas janë përfshirë në një konflikt të çastit, për motive të dobëta, jashtë një lokali në fshatin Hot i Ri, me vëllanë e 33-vjeçarit, shtetasin K. F., 35 vjeç. Pas konfliktit, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet, shtetasi V. F. Sapo ka parë automjetin, shtetasi K. M. dyshohet se ka qëlluar disa herë, me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të 33-vjeçarit, i cili për pasojë, mbeti i vrarë.
Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë (dyshohet në posedim të shtetasit K. M.) dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje. Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për gjetjen e armës me të cilën është kryer vrasja, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për të individualizuar përgjegjësinë penale për këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.