MENU
klinika

Rënia po përfshin të gjithë kategoritë e mallrave

Kursi i këmbimit si “tra” për eksportet shqiptare

23.09.2023 - 15:27

“Eksporti shënon sektorin bazë, i cili tregton jashtë kufijve të saj, prodhon flukse të parasë në ekonominë e vendit, dhe siguron nxitje për zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik.” Ky përkufizim i ekonomistit amerikan, Robert Solow, fitues i Çmimit Nobel në “Shkenca Ekonomike” në vitin 1987 bashkë me argumentet e studiuesve Helpman dhe Krugman se “eksportet ndihmojnë shtetet e varfra dhe me treg të vogël, të përfitojnë nga shtetet me ekonominë e shkallës”, bëhen veçanërisht të rëndësishëm kur flitet për tregtinë e jashtme të Shqipërisë gjatë tetë muajve të parë të këtij viti.

1993-2023, fotografia “bardh e zi” e eksporteve shqiptare

Tre dekada më parë, në vitin e largët 1993 që shënjonte hapat e parë drejt ekonomisë së hapur, kompanitë shqiptare shitën në tregjet e huaja mallra me vlerë 105 milionë dollarë (Euro nisi të përdorej në vend në vitin 2002). Eksportet ishin të mbështetura kryesisht te produktet bujqësore (bimë mjekësore, duhan), nga metale (ferrokrom dhe alumin), nga lëkura, nga lëndë drusore dhe nga produktet minerale (karburante). Eksportet industriale kishin humbur rëndësinë e tyre me falimentimin e ndërmarrjeve shtetërore. Italia, për shkak edhe të afërsisë gjografike ishte destinacioni kryesor për këto të mira materiale duke zënë rreth 71 për qind të totalit të eksporteve.

Pas 30 vitesh, eksportet e mallrave shqiptare janë rritur ndjeshëm në volum dhe vlerë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave treguan se vitin e shkuar 3 mijë e 604 ndërmarrje eksportuese çuan në tregjet e huaja mallra në vlerën e 487 miliard lekëve, apo rreth 3.6 miliardë euro duke u rritur 32 për qind krahasuar me vitin 2021. Megjithatë “fytyra” e eksporteve tona pak ka ndryshuar në drejtim të asaj që shesim jashtë. Veshjet e këpucës që mbërrijnë në vendin tonë për t’u punuar e për t’u dërguar sërish në tregje (rieksporte) me gjithë luhatjet vijojnë të jenë lokomotiva e eksporteve tona. Nga një panoramë e ndërtuar në thuajse çdo vit, vërehet se grupi i mallrave “veshje-këpucë” përbën fetën më të madhe të tortës së eksporteve.

Marsi që theu optimizimin e fillimvitit

Me gjithë luftën ruse në Ukrainë që çrregulloi tregjet e solli mjaft probleme për të gjithë, kompanitë shqiptare ishin optimiste se 2023-shi do të ishte më i mbarë dhe do t’i lejonte të kryenin investime për të zgjeruar kacitetet sin ë infrastructure, ashtu edhe në burime njerëzore.

“Me gjithë sfidat që patëm, 2022 mund të quhet një vit i mbarë. Kërkesa nga tregjet e huaja mbetet e lartë dhe ne do të përpiqemi të rrisim kapacitetet prodhuese për të përmbushur kontratat porositëse”, shprehej në një intervistë për A2 CNN në fund të vitit të shkuar, Florian Zekja nga shoqata, “Pro Export Albania.”

Por çrregullimi i kursit të këmbimit që kishte nisur vjeshtën e vitit të shkuar duke prodhuar një “Superlek” nga njëra anë dhe një euro që vijon të rrokulliset nga tjetra po prish planet e atyre që prodhojnë mallra për t’i shitur ato jashtë.

Ekziston një marrëdhënie e ngushtë mes kursit të këmbimit me tregtinë e jashtme në përgjithësi dhe eksportet në veçanti. “Rezultatet tregojnë se ndërsa të ardhurat përbëjnë nxitësin kryesor të flukseve tregtare në Shqipëri, kursi i këmbimit luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e rritjes sëeksporteve dhe në zëvendësimin e importeve. Zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut dëmton veçanërisht ndërmarrjet eksportuese pasi këto të fundit të ardhurat i kanë në euro dhe shpenzimet në lekë. Me një euro në këto nivele ata humbasin rreth 20 për qind të të ardhurave të tyre.” – vlerëson pedagogu i ekonomisë, Eugen Musta.

6 muaj rrokullisje për eksportet

Duke mos mundur të thyenin ecurinë 6-mujore, kompanitë shqiptare shitën më pak mallra në tregjet e huaja edhe gjatë gushtit, duke thelluar kështu ecurinë negative të nisur në mars. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar vlera totale e produkteve të eksportuara ra në më pak se 27.5 miliardë lekë nga mbi 35 miliardë gushtin e një viti më parë. Humbja në këtë rast përllogaritet në gati 7.7 miliardë lekë ose mbi 72 milionë euro.

Marrë në harkun e 8 muajve, eksportet e mallrave shqiptare nuk e kalojnë shifrën e 300 miliardë lekëve, duke u tkurrur kështu me mbi 28 miliardë apo 8.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

“Kryesisht është kursi i këmbimit ai që po sjell këtë ecuri kaq negative. Gjithashtu, tregjet e tjera po ofrojnë çmime më të lira se ne. Po ka më pak kërkesë për produktet tona”, thotë ekonomisti Klodian Muço.

Vetëm drejt vendeve të bashkimit Europian, në harkun e muajve janar-gusht kompanitë shqiptare eksportuan 22 miliardë lekë më pak mallra. Teksa paralajmërojnë se Shqipëria mund të kthehet në një vend shumë më importues, ekspertët kërkojnë ndërhyrje te kursi i këmbimit.

Rënia po përfshin të gjithë kategoritë e mallrave

Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se tkurrja e eksporteve po përfshin thuajse të gjitha kategoritë e mallrave. Të dhënat e INSTAT treguan se në harkun e muajve janar-gusht pati më pak lëndë minerare, tekstile, prodhime druri e pajisje këmbimi apo ushqime të shitura në tregjet e huaja.

Bashkë me investimet e huaja direkte, turizmit dhe remitancat, rigjallërimi i eksporteve vlerësohet si jetik për ekonominë shqiptare nga ekonomistët. “Bilanci tregtar paraqet një prej zërave më dominues në llogarinë rrjedhëse dhe rëndësia tij qëndron në atë se na jep informacione në lidhje me shkëmbimin tregtar me botën e jashtme dhe si e tillë na mundëson që të identifikojmë fuqinë prodhuese të një vendi, fuqinë konsumuese të atij vendi, kërkesën vendore, kërkesën e huaj, prirjet për konsum apo për kursim si dhe na jep informacione detale se me cilat vende jemi të lidhur ngushtë ekonomikisht, cilët janë sektorët më frytdhënës dhe më të brishtë të ekonomisë kombëtare.” – argumenton profesori i ekonomisë Edison Zaçaj.

Eksportimi dhe importimi i mallrave nuk është vetëm thelbi i ndonjë biznesi të madh dhe të suksesshëm por gjithashtu ndihmon ekonomitë kombëtare të rriten dhe të zgjerohen. Ndajnë këto kushte sipërmarrjet në këtë sektor dhe ekonomistët bëhen bashkë në një thirrje: “Të shpëtojmë eksportet!”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eksportuesit letër institucioneve financiare

“Rënia e euros po ndikohet nga paratë kriminale…”

Depozitat e kreditë në valutë

‘Zhgënjen’ de-euroizimi

Standard & Poor’s konfirmon vlerësimin

“B+” për ekonominë shqiptare