MENU
klinika

Superliga edhe dy ndeshje të tjera këtë të shtunë

Egnatia fiton me Laçin dhe kryeson renditjen

23.09.2023 - 18:28

Superliga shqiptare e futbollit është në raundin e pestë. Këtë të shtunë me fillim nga ora 15:00, Egnatia mundi 2-1 Laçin në stadiumin e Rrogozhinës. Me këto tri pikë djemtë e Tetovës marrin kreun e klasifikimit, me dhjetë pikë sa ka edhe Tirana. Në 18:00 Skënderbeu luan me Kukësin dhe në 20:15 Vllaznia pret Teutën në “Loro Boriçi”.

Në stadiumin e Rrogozhinës, Egnatia vendase fitoi 2-1 me Laçin për javën e pestë në Superligë. Të besuarit e Edlir Tetovës vuajtën në fund, me ndeshjen që ishte emocionuese. Dueli u zhbllokua pas 11 minutave lojë nga Dwamena. Sulmuesi lëvizi bukur në zonë dhe me të majtë e la topin në rrjetën e Dajsinanit. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, teksa në të dytën Spahiu në minutën e 57 i shënoi golin e dytë Laçit. Mesfushori mori një pasim të bukur nga Zejnullai, duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij, me Spahiun që nuk festoi.

Duhej minuta e 84 kur dueli do rihapej me autogolin e Malotës. Një goditje e Ujkës nga jashtë zone, u devijua nga mbrojtësi i vendasve, duke e dërguar topin pas krahëve të Sherrit. Pas këtij rasti Paulauskas humbi një mundësi të mirë te Egnatia, ndërsa dueli u mbyll me fitoren e rrogozhinasve.

Pas këtij rezultati, Egnatia me 10 pikë mban kreun e Superligës, teksa aq pikë ka edhe Tirana e vendit të dytë. Laçi me shtatë pikë është në vendin e pestë.

Superliga – java 5:

E premte

15:00 Tirana 0-1 Erzeni (Maliqi 17′)

18:00 Dinamo 1-3 Partizani (Kaçorri 90+3′ (p) / Bintsouka 58′, Rrapaj 78′, Da Silva 83′)

E shtunë

15:00 Egnatia 2-1 Laçi (Dwamena 11′, Spahiu 57′ / Malota 84′ (og))

18:00 Skënderbeu – Kukësi

20:15 Vllaznia – Teuta