Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka uruar kryetarin e sapozgjedhur të Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj. Përmes një postimi në “Facebook”, Balla shkruan se Halilaj, kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet e Kukësit, arriti të shënojë një rezultat historik, i cili tregon qartë besimin dhe pritshmëritë që kuksianët kanë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe socialistëve.
Gjithashtu ministri Balla, në reagimin e tij falenderoi edhe KQZ si dhe Policinë e Shtetit për organizimin dhe mbarëvajtjen sipas standardeve më të mira të këtyre zgjedhjeve të pjesshme.
“Përgëzime Kryetarit të sapozgjedhur Albert Halilaj, i cili si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit mori në zgjedhjet e djeshme një rezultat historik për forcën tonë politike, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj Edi Rama dhe PS, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin Përgëzime KQZ dhe Policisë së Shtetit për organizimin dhe mbarëvajtjen sipas standardeve më të mira të këtyre zgjedhjeve të pjesshme, ku meritë kanë banorët e kësaj bashkie si dhe kandidatët bashkë me ekipet e tyre elektorale për zhvillimin e një fushate zgjedhore konkuruese dhe të qetë. FALEMINDERIT POPULLIT TË KUKËSIT”, shkruan Balla.
Zgjedhjet e pjesshme në Kukës janë fituar nga kandidati socialist Albert Halilaj, i cili ka dalë me një rezultat me mbi 5,000 vota para kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata.
Një reagim i menjëhershëm lidhur me këtë rezultat erdhi edhe nga kryetari i Partisë Demokratike zyrtare në Kukës, Arif Rexhmati, i cili tha se në këto zgjedhje të pjesshme nuk fitoi Partia Socialiste, por humbi për të dytën herë ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Më tej, kreu i PD-së zyrtare tha se kandidatura e grupimit të Berishës dhe Metës ishte një “mbetje komuniste” që shkoi në Kukës nga Tirana.
“PD dhe strukturat e saj ne Kukës në misionin fisnik të përbashkimit dhe jo të përçarjes së opozitës, ndonëse pranoi etiketime të pabaza, nuk nxori kandidat që të mos ndante votat e kandidatit të BF, ja la të gjithë komisionerët, të gjithë numëruesit, KZAZ, GNV, QV … për një shans të dytë… fitoren ndaj rilindjes”, tha Rexhmati ndër të tjera.