Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e sotme Dukagjinin ku janë qëlluar babë e bir.
Burime për mediat raportojnë se bëhet fjalë për babë e bir, Zef dhe Gjin Guri. Nga të shtënat ka vdekur babai Zef Guri 73-vjeç, ndërsa djali i tij 46-vjeç është në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, autori është larguar në drejtim të paditur. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në Shosh të Dukagjinit.
Forca të shumta policie janë nisur drejt vendit të ngjarjes për të nisur hetimet paraprake rreth kësaj ngjarje të rendë, që ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku dhe rrethanat mbeten të paqarta.
Policia është nisur drejt malit të Shoshit me helikopter për shkak të terrenit të vështirë.
“Rreth orës 18:45, në sallën operative të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë se në malin e Shoshit, ishin plagosur me armë zjarri shtetasit Gjin Guri. dhe Zef Guri
Shtetasi Gjin Guri po transportohet në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi Zef Guri ka humbur jetën disa minuta pasi ka ndodhur ngjarja.
Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma. Me mbërritjen e shërbimeve dhe grupit hetimor, në vendngjarje, dhe pasi të sqarohen rrethanat e ngjarjes, do të ketë një njoftim tjetër.”, njofton policia.
Kush është Gjin Guri?
Më 15 nëntor të vitit 2021 Gjin Gurit i është vendosur një tritol në lokalin e tij në buzë të rrugës që të çon në Malin e Shoshit në Dukagjin.
Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale, ndërsa autorët mbetën të pazbuluar.
Pronari i lokalit që ishte shënjestër e sulmit me lëndë plasëse, shtetasi Gjin Guri, është një person me precedent penal, pasi ka qenë dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Ndërkohë, në vitin 2015 Gjin Guri u arrestua sërish nga Policia e Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në kuadër të operacionit “Bjeshkët”.
Asokohe Gjin Guri ishte një person në kërkim ndërkohë që dyshohej edhe si personi që qëlloi ndaj Policisë në një aksion të efektivëve disa vite më parë për të mbrojtur parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin.
“Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me grupet e FNSHsë Shkodër, mbi bazën e një plani operacional të mirorganizuar bënë të mundur kapjen në banesë të personit të shumëkërkuar në fshatin Shosh, Dukagjin, shtetasin Gjin Guri”, njoftonte Policia më 27 shtator 2015.
Gjin Guri pasi është liruar nga burgu ka vijuar aktivitetin me lokalin e tij ndërsa bën edhe rrugën Shkodër-Dukagjin dhe anasjelltas me furgon pasagjerësh.