Vitin e shkuar nga nëntoka shqiptare u nxorën 902 mijë tonë naftë bruto. Në raport me 2021-shin, sasia e naftës së prodhuar në vend është zgjeruar me rreth 205 mijë tonë apo 29 për qind.
“Ky është niveli më i lartë i viteve të fundit. Një deri 1.2 milionë tonë kemi mundur të nxjerrim pas regjimit komunist dhe gati 2 milionë gati tij. Fusha e Patos-Marinzës po shfrytëzohet me kapacitete të plota”, shprehet Bardhi Sejdarasi, ekspert për hidrokarburet.
Sipas përllogaritjeve të Institutit të Statistikave, vlera e naftës bruto të prodhuar në vend vitin e shkuar shkon në gati 50 miliardë lekë apo mbi 465 milionë euro duke u zgjeruar kështu me mbi 31 për qind në raport me 2021-shin.
“Kjo shifër e madhe korrelon edhe me sasinë lartë të produktit që është nxjerrë. Dhe këtu përfshhen vetëm detyrimet e deklaruara. Imagjinoni sa i madh do të ishte përfitimi nëse nafta do të përpunohej e shitej në vend. Do të fitonte ekonomia dhe shqiptarët.”
Të dhënat nga Drejtoria e përgjithshme e Doganave tregojnë për të plotësuar të gjitha nevojat, vitin e shkuar u importua nga jashtë një sasi prej 630 mijë tonësh, ndërkohë që në vend u prodhuan mbi 902 mijë tonë.
Pra nëse nafta do të ishte përpunuar vend, Shqipëria mund të plotësonte të gjitha nevojat e veta.
“Prandaj është emergjente që qeveria të investojë në industrinë përpunuese, pra rafineritë. rrjedhimisht do të kemi edhe çmime më të lira në pikat e karburanteve.”
Çmimi i naftës këtë fillim-muaj në vend i është afruar nivelit të 200 lekëve për litër. Në pikat e karburanteve, nafta po shitet mesatarisht për 199 lekë nga 197 që ishte gjatë gushtit, duke arritur në nivelin më të lartë që nga mesi i marsit të këtij viti. Krahasuar me muajin maj çmimi i naftës në vend është shtrenjtuar mesatarisht me 30 lekë.
Aktualisht Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve në Rajon me 1.85 euro për litër, ndjekur nga Serbia me 1.79 lekë për litër. Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë çmimet më të ulëta të karburanteve me rreth 135 lekë për litër.