MENU
klinika

UEFA zbardh raportin

Superiorja luajti 100’, ja sa milionë euro përfituan klubet

30.09.2023 - 17:43

UEFA ka publikuar raportin e saj pas qyrues të kampionateve europiane për vitin 2023 (janë përpunuar të dhënat e sezonit të shkuar 2022-’23) dhe në një hulumtim të detajuar të statistikave që nga merkatoja, përbërja e skuadrave dhe trajnerët, ka nxjerrë në pah shifra interesante për Kategorinë Superiore.

NDESHJE 100-MINUTËSHE

Sezonin e shkuar, direktivat që iu dhanë arbitrave për të shmangur humbjet e kohës, duke akorduar kohë shtesë më të gjatë i dhanë frytet e tyre, me ndeshjet e Kategorisë Superiore, të cilat zgjatën mesatarisht mes 100-101 minutave, e cila në 54 kampionatet europiane kapërcehet vetëm nga Superliga turke (101.9 minuta).

TRAJNERËT

Nga vëzhgimi i UEFA-s, 2/ 3-at e klubeve europiane ndryshuan trajnerin e tyre. Në Kategorinë Superiore u larguan/ shkarkuan 21 trajnerë, mesatarisht 2.1 për çdo klub, duke pësuar një rritje 10% nga sezoni i shkuar. Koha mesatare e një trajneri shqiptar në krye të një klubi ishte 6 muaj. 88% e këtyre trajnerëve ishin shqiptarë.

FORMATI

Kampionatet europiane operojnë me 11 formate të ndryshme: 61% e tyre kanë formatin klasik linear, ndërsa Shqipëria e ka unik formatin e saj me 4 faza dhe një “Final 4”.

GOLAT

Sezonin e shkuar në Kategorinë Superiore u shënuan mesatarisht mbi 2.2 gola për ndeshje me 58% të tyre të shënuar në pjesën e dytë. 40% e ndeshjeve u fituan nga ekipet pritëse, ndërsa në gati 10% të ndeshjeve u fituan me të paktën 3 gola diferencë.

LOJTARËT

34% e lojtarëve të aktivizuar ishin të huaj (vendi i 34-t në Europë), ndërsa një dorë iu dha edhe talenteve me 38% të të aktivizuarve që ishin lojtarë nën moshën 23 vjeç.

FINANCAT

Fitimet neto të kampionatit i kaluan 1 milion eurot nga merkatoja, ndërsa çdo lojtar i transferuar kushtoi mesatarisht 3.800 euro./ Panorama Sport