Almeria dhe Granada po luajnë për javën e tetë në La Liga. Në stadiumin “Jogos Mediterraneos”, ndeshja është 3-3, teksa u prodhuan gola dhe raste. Në këtë duel nga stoli e nisi edhe Myrto Uzuni. Beratasi pak ditë më parë pësoi një lëndim në sfidën kundër Betisit, duke lënë fushën pas vetëm 37 minutash lojë. Sulmuesi i Kombëtares, ka gjetur golin e tretë këtë edicion në La Liga. I futur në fushë në minutën e 73-të, Uzuni barazoi ndeshjen 3-3 për Granadan në minutën e 86-të, vetëm 13 minuta pas futjes në fushë.
Te Granada dhe te Kombëtarja kuqezi u alarmuan për gjendjen e tij, teksa testet mjekësore zbuluan se lëndimi në muskujt e barkut nuk ishte i rëndë. Me disa ditë pushim, 27-vjeçari tanimë rikthehet në fushë për të tijtë nën sytë e Sylvinhos dhe gjen golin.
Trajneri i Shqipërisë ka udhëtuar për në Spanjë, aty ku ndoqi nga pranë Ivan Balliun dhe tanimë Uzunin. Duket se sulmuesi do jetë gati për ndeshjen kundër Çekisë në Tiranë, dueli i cili vlen për Euro 2024 për grupin E dhe zhvillohet më 12 tetor.