MENU
klinika

Skemë për pensionet

Si do të njihen vitet e punës në komunizëm

02.10.2023 - 14:16

Nëse ka një problematikë me të cilën përballen të gjithë ata që dalin rishtazi në pension është mungesa e dokumentacionit për vitet e punës në komunizëm.

Një fenomen ky i pranishëm në radhët e atyre që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore të kohës. Kjo, për tri arsye.

Në rastin më të mirë regjistrat e këtyre kooperativave janë dorëzuar të mangët dhe në rastin më të keq nuk janë dorëzuar fare. Një pjesë e tyre, po ashtu, u shkatërruan gjatë trazirave të vitit 1997, duke bërë që periudha e vjetërsisë në punë pranë kooperativave bujqësore të mos iu njihet. Të gjendur në këto kushte, mundësia e fundit që kanë pasur është t’u drejtohen Gjykatës.

NISMA

Si një përpjekje për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi që prek jo pak të moshuar në prag pensioni, kanë qenë dy deputetë iniciatorë, të cilët depozituan me kohë në Kuvend një nismë ligjore që bën të mundur njohjen si vite pune për efekt pensioni të të gjithë periudhave të punësimit në ish kooperativat bujqësore.

Ligji ka për qëllim njohjen si periudhe sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore të kohës së punësimit në ishkooperativat bujqësore për të cilat është djegur dokumentacioni arkivor i vjetërsisë në pune, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501 datë 19.07.1991, “Për tokën”, i ndryshuar.

Njihet si periudha e sigurimit për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore koha e punësimit në ish-kooperativat bujqësore, nga mosha për punë në kooperativat bujqësore e përcaktuar në legjislacionin e kohës, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19. 7 .1991 “Për tokën”, thuhet në nenin 1 dhe 2 të draftit të depozituar në Kuvend. Pragu është mosha 15 vjeç, pasi gjatë kohës së diktaturës, puna niste menjëherë pas përfundimit të arsimit bazë. Nga kjo moshë deri në vitin 1991, kur mungojnë dokumentet, vitet e punës do të merren të mirëqena dhe qytetarët nuk do ta kenë më të nevojshme që të përplasen dyerve të gjykatave.

“Ndjekja e procedurave gjyqësore ka pasur dhe ka një kosto financiare për këtë kategori, e cila është shlyer nga vetë personi ose nga vetë organet e sigurimeve shoqërore. Nëpërmjet këtij projektligji synohet njohja si periudhë sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore koha e punësimit në ishkooperativat bujqësore nga mosha për punë e përcaktuar në legjislacionin e kohës, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501/1991”, thuhet në relacion.

Konkretisht nëse dikush ka 10 vite pune në ish kooperativat bujqësore, por si periudhë pune për shkak të mungesës së dokumentacionit i njihen 8, atëherë dy vitet e mbetura do të merren të mirëqenë. Në relacion sqarohen edhe rastet për jashtimore, pra ato kur kjo periudhë përfitimi nuk do të njihet për efekt pensioni.

“Njohja e periudhës së sigurimit për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore në varësi të periudhës së deklaruar nga vetë personat kërkues, bëhet respektivisht me ditë, muaj apo vite të plota pune, vetëm kur vërtetohet se gjatë periudhës së deklaruar përfituesi: nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie; nuk ka qenë përfitues i pensionit të invaliditetit të plote dhe së fundmi ka qenë banor i territorit në të cilin ka shtrirë aktivitetin e saj ishKooperativa Bujqësore”, theksohet në relacion.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja sa shtohen në qytet dhe në fshat!

Hyn në fuqi indeksimi i pensioneve

Për pagat nga viti 1994 deri në vitin 2023

Koeficientët që do të përdoren për llogaritjen e pensioneve