Policia greke ka arrestuar dy persona si autorë të dyshuar të masakrës në Lutsa ku u ekzekutuan me armë zjarri 6 turq.
Sipas Protothema.gr, është vendosur në pranga një shtetas turk, i cili u arrestua në aeroportin Eleftherios Venizelos menjëherë pas atentatit. Ndërsa, po ashtu një tjetër shtetas turk u arrestua pak ditë më parë në Greqi.
Atentati mafioz ndodhi pasditen e 11 shtatorit dhe u raportua për larje hesapesh mes bandave të trafikut të drogës.
Më shumë se 20 gëzhoja u gjetën në vendin e krimit. Sipas mediave turke, viktimat janë anëtarë të bandës Baris Boyun.
Ndërkohë 10 anëtarë të organizatës kriminale janë arrestuar në Turqi gjatë bastisjes së policisë në disa shtëpi në Stamboll dhe Izmir, pasi dyshohet se po përgatisnin një atentat në shenjë hakmarrje.
Sipas Policisë së Stambollit, gjatë kontrolleve të kryera në adresat e të dyshuarve janë sekuestruar 4 armë pa leje, 85 gëzhoja dhe 6 gramë drogë.