MENU
klinika

Shkarkimi i papritur i trajnerit

Orges Shehi vendos rekord te bardheblutë!

05.10.2023 - 16:20

Orges Shehi nuk është më pjesë e Tiranës. Trajneri durrsak dhe klubi bardheblu nuk do vazhdojnë më bashkëpunimin, zyrtarisht kjo pas dy humbjeve të fundit me Erzenin dhe Laçin në “Selman Stërmasi”. Edhe pse me vetëm gjashtë ndeshje të luajtura këtë sezon, Tirana është tre pikë pas kryesuesve të Superligës dhe me ndeshjen derbi për t’u luajtur (kundër Partizanit), te Tirana duket si një “tërmet” i shkaktuar nga vetë strukturat e klubit.

Nuk është hera e parë që Tirana vuan mungesën e rezultateve apo dy humbje radhazi, ndërsa veç gjerave zyrtare, duket se të tjerat janë arsyet që larguan trajnerin nga klubi. Durrsaku 46-vjeçar ka treguar se nuk preferon të ketë dyzime për vendimet e tij, apo ndërhyrje në idetë e lojës apo lojtarëve në fushë.

E duket se klubi i Tiranës i ka kërkuar trajnerit edhe futjen në fushë të elementëve të rinj, gjë që këtë fillim-sezoni ka qenë e vështirë, për vetë yjet që skuadra ka në dispozicion. Menaxhimi i klimës në ekip apo edhe krisja me drejtuesit për idetë e ndryshme, ka sjellë “kurbanin” e radhës në stolat e skuadrave elitare në Shqipëri.

Por le të ndalemi te rekordet që Shehi ka vendosur te Tirana. Trajneri prej më shumë se 1000 ditësh është pjesë e stolit bardheblu, duke marrë drejtimin e ekipit në 27 janarin e 2021, kjo pas largimit të Nevil Dedes. Deri sot kur edhe u shkarkua, Shehi e drejtoi ekipin në 120 ndeshje, duke marrë 66 fitore, 24 barazime dhe 30 humbje, për mesataren prej 1.85 pikë për ndeshje.

Ish-trajneri i Skënderbeut apo edhe Kukësit bëhet trajneri më jetëgjatë në krye të bardhebluve, teksa ia doli të fitojë dy trofe. Sezoni 2021-22 solli titullin kampion me të në stol, ndërsa në 2022-23 Tirana fitoi Superkupën e vendit.

Për t’u përmendur edhe sezoni i fundit, ku Tirana e mbylli kampionatin me 66 pikë, njëjtë sa Partizanit që mori trofeun e kampionit vetëm për shkak të golavarazhit. Me qetësinë që përcillte nga stoli për lojtarët dhe stofin e kampionit që e karakterizon, Shehi në më shumë se 1 mijë ditë bëri që tifozët ta dashuronin prej punës së kryer.

Tani për Tiranën është koha që të zgjedhë një tjetër trajner. Vula e punës që Shehi ka lënë pas duket se nuk do jetë e lehtë për këdo që do ulet në stolin e klubit më të titulluar në Shqipëri, duke bërë që barra e fanellës të jetë e rëndë.