Procesi i konsultimeve për hartimin e projektbuxhetit dhe paketën fiskale që shoqëron atë për vitin e ardhshëm ka nisur tashmë. Nga mbledhja e këshillit të Investimeve, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete ftoi sipërmarrjet të marrin pjesë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur përgatitjet për buxhetin dhe paketën fiskale që shoqëron atë për vitin e ardhshëm. Lajmin e dha kreu i “financave” Ervin Mete nga mbledhja e këshillit të Investimeve.
“Unë gjej rastin t’ju ftoj të gjithëve që si anëtarë të Këshillit, nëpërmjet Këshillit apo dhe strukturave të tjera me të cilat ne do të kemi mundësi të bëjmë takime konsultuese, të pres sugjerimet tuaja qoftë për buxhetin e vitit 2024, ashtu edhe për paketën fiskale të vitit të ardhshëm, në mënyrë që këto procese të konsultohen sa më gjerë që të jetë e mundur”, u shpreh ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete.
Ndërkohë anketa e zhvilluar nga Këshilli i Investimeve për cilësinë e shërbimeve publike digjitale sipas këndvështrimit të biznesit, e kryer në korrik të këtij viti prodhoi disa sinjale mikse.
“Në përgjithësi perceptohet një rënie e nivelit të korrupsionit dhe burokracive. Bizneset e vogla, me xhiro deri në 14 milionë lekë rezultojnë më skeptiket për sa u përket niveleve të korrupsionit dhe reduktimit të barrës administrative, si rrjedhojë e marrjes së shërbimeve publike në mënyrë elektronike”, tha drejtoresha e Sekretariatit e Këshillit të Investimeve, Diana Leka.
Rreth 325 bizneset e përfshira në anketën e këshillit të Investimeve nga shërbimet që e-Albania ofron, më së shumti shprehën pakënaqësi në sigurinë e të dhënave, procedurat e ankimit, vonesat në marrjen e shërbimit, vonesa në kthim përgjigje dhe vështirësi në ndërveprimin me institucionet.