Montpellier dhe Clermont u përballën për javën e tetë në Ligue I. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “de la Mosson” nuk përfundoi, edhe pse vendasit po fitonin 4-2.
Në minutat shtesë tifozët vendas të ndodhur pas portës së mbrojtur nga portieri i Clermont, sulmuan me një shashkë shpërthyese këtë të fundit. Gardiani u plas në tokë pa ndjenja, me mjekët që e rikthyen të vetëdijshëm, para se ta largonin nga fusha me barelë.
Ndeshja u ndërpre dhe pas shumë minutash që portieri Diaw mori ndihmë në fushë, arbitri i dërgoi të gjithë në dhomat e zhveshjes, ndërsa ende nuk ka një vendim nëse do luhen gjashtë minutat e shtesës, apo sfida do ndërpritet përfundimisht, për t’ia lënë vendimin komisioneve në disiplinës në elitën e futbollit francez.