Bota e kujdesit ndaj lëkurës është kaq e madhe dhe e larmishme. Me rregulla të vjetra, por edhe të reja që ndryshojnë dhe pasurohen kohë pas kohe, ka disa teori në lëmin e bukurisë që shpesh diskutohen nga dermatologët. Një ndër to: A mund të kombinohet vitamina C dhe retinoli?
Si dy përbërës shumë të fuqishëm, vitamina C përdoret gjatë ditës falë vetive antioksiduese, të cilat mbrojnë lëkurën nga faktorët mjedisorë si ndotja. Nga ana tjetër, retinoli duhet të përdoret në mbrëmje sepse mund të irritojë lëkurën nga rrezet UV. Vitamina C është e tretshme në ujë, ndërsa retinoli është i tretshëm në vaj, kështu që do të kundërshtojnë njëri-tjetrin kur përdoren së bashku. Së fundi, shumë marka kremrash dhe produktesh kozmetike po i sjellin në një produkt të vetëm të dy këta përbërës të fuqishëm.
Përfitimet e kombinimit të vitaminës C dhe retinolit
Retinoli është një formë e vitaminës A, e cila nxit qarkullimin e gjakut në lëkurë dhe prodhimin e kolagjenit. Vitamina C e pastër është një antioksidant, i cili gjithashtu rrit prodhimin e kolagjenit dhe forcon tonin e lëkurës duke luftuar radikalet e lira në mjedis (papastërtitë, ndotjen).
“Ne i këshillojmë klientët të përdorin vitaminën C gjatë ditës, duke përfituar nga fuqia e saj antioksiduese për të mbrojtur kundër agresorëve mjedisorë, më pas të përdorin retinolin gjatë natës për të ndihmuar procesin e rigjenerimit të lëkurës,” thotë Anna De La Cruz, estetiste.
“Produktet që kombinojnë vitaminën C dhe retinolin së bashku në kujdesin e lëkurës sjellin shumë përfitime, të tilla si përmirësimi i strukturës dhe tonit të lëkurës, reduktimi i rrudhave të holla dhe lëkura merr pamje më të shndritshme,” thotë Kat Burki, themeluese e një linje kremrash. “Ky kombinim është i përshtatshëm për lëkurat jo të ndjeshme dhe për këdo që kërkon përmirësim të përgjithshëm të shëndetit të lëkurës”.
Ashtu si me çdo produkt tjetër për kujdesin e lëkurës, dermatologët këshillojnë që të filloni ngadalë me trajtimin për të parë reagimin që do të ketë lëkura. Kur keni dyshime, së pari bëni një test duke aplikuar produktin në pjesën e brendshme të krahut dhe prisni 24 orë për të parë nëse keni ndonjë reagim. Nëse lëkura juaj nuk reagon, filloni me një sasi të vogël të produktit, më pas përdoreni dy herë në javë.