MENU
klinika

Kush do t’i zëvendësojë

Dorëhiqen dy gjyqtarët që do shqyrtonin çështjen “Beleri”

09.10.2023 - 17:24

Çështja e Fredi Belerit prej muajsh është kthyer në një nga temat më të nxehta të politikës shqiptare, por edhe asaj greke, që pas arrestimit të tij dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.

Por mësohet se dy gjyqtarë të Durrësit kanë hequr dorë nga gjykimi i çështjes Beleri.

Prej 22 shtatorit, kërkesa e Belerit për leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës i kaloi gjykatës së Durrësit për moskompetencë nga Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar.

Në pritje të gjykimit Fredi Beleri mbahet në Durrës, ndaj pas pranimit të kompetencës për shqyrtimin e çështjes, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit, po njëri pas tjetrit gjyqtarët Rexhep Bekteshi dhe Besjana Garxenaj, hoqën dorë nga shqyrtimi duke i kërkuar kryetarit të Gjykatës së shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës zëvendësimin me një gjyqtar tjetër, raporton Tch.

Në të dyja rastet, gjyqtarët kanë vlerësuar me ndërgjegje se kanë shkaqe të arsyeshme për të mos shqyrtuar këtë çështje që konsiderohet tejet delikate për sistemin tonë gjyqësor. Gjyqtari Rexhep Bekteshi ka sjellë në vëmendje për tërheqjen e tij gjykimin e disa çështjeve me shtetas grekë, të cilat janë vënë në diskutim dhe po ashtu faktin se i biri është anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit si përfaqësues i një force tjetër politike nga ajo e Belerit.

Ky argument i dytë është pranuar nga kryetari i gjykatës Paulin Çera i cili urdhëroi zëvendësimin e këtij gjyqtari me anë të shortit, por edhe gjyqtarja tjetër Besjana Garxenaj kërkoi të mos marrë pjesë në shqyrtim. Ajo është nga Gjirokastra dhe familjarët e saj kanë pasur lidhje me një nga të vrarët në masakrën e Peshkëpisë, për të cilën akuzohet dhe Beleri.

Rihedhja e shortit për herë të tretë ka përcaktuar gjyqtaren e radhës, Entela Shedula e cila nuk rezulton të ketë shkaqe të arsyeshme për të mos shqyrtuar çështjen e shumëdiskutuar këtë të martë.