MENU
klinika

BIRN: Privatizoi tokë me çmimet e vitit ’94,

“Si i shkaktohet dëm buxhetit nëse aksionet shtetërore rriten?!”

11.10.2023 - 16:53

Një parcelë toke me sipërfaqe 6370 metra në pronësinë e familjes Myderizi në rrugën 5 Maji në Tiranë, e cila u privatizua duke përdorur çmimet e vitit 1994 në kundërshtim me një vendim gjykate të formës së prerë, pritet të shtojë një akuzë tjetër për veprën penale të shpërdorimit të detyrës ndaj ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili është aktualisht në arrati për akuza të tjera për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Ahmetaj kundërshtoi akuzën nga arratia. Në një postim në Facebook, ai pretendoi se akuza është pasojë e një komploti që sipas tij, financohet nga incineratorët dhe që synojnë ta kthejnë atë në shënjestër të keqbërjeve në vend.

“Në lidhje me lajmin që qarkullon, nuk e di sa e vërtetë është, por nuk do të habitesha aspak në vazhdën e përndjekjes së organizuar në tashmë gati një vit e gjysëm e më shumë,” deklaroi Ahmetaj.

Lexo reagimin e plote të Arben Ahmetajt

(Dokumentet/ U kallëzua penalisht në SPAK për shpërdorim detyre, Arben Ahmetaj: E bëjnë për presion apo për të më penguar të flas? S’do ndodhë…)

Privatizimi

Në rrugën 5 maji në Tiranë, familja Myderizi kishte dikur një parcelë toke me sipërfaqe 7,680 metra katrorë. Në kohën e komunizmit, një fabrikë buke u ndërtua dhe zuri 6,370 metra nga toka e tyre. Pronarët morën njohjen e pronës nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në fillim të viteve ’90. Shteti shqiptar në atë kohë deklaroi konvertimin në aksione të vlerës së tokës në ndërmarrjet që supozohej se duhej të ishin funksionale dhe operative. Ndërmarrja në fjalë, Buka sh.a., në fakt raportohet në dokumentet e prokurorisë si Ish-Fabrika, d.m.th., një ngrehinë që nuk ekziston. Pronarët u ankuan për faktin se ligji i vitit 1994 për konvertimin e vlerës së tokës në aksione ishte i padrejtë, sepse vlera e tokës nuk llogaritej sipas çmimit të tregut.

Një kalvar i gjatë ligjor përfshiu një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, në të cilën qeveria urdhërohej të llogariste vlerën e aksioneve sipas çmimit të tregut, si dhe një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, e cila urdhëronte Ministrinë e Ekonomisë, të drejtuar asokohe nga Ahmetaj, që të rillogariste vlerën e aksioneve të pronarëve të tokës. Sipas njoftimit të akuzës, të disponuar nga BIRN, pronarëve të tokës u takonin 26% të aksioneve të kompanisë nga më pak se 5% të vlerësuara nga Ministria e Ekonomisë përmes përdorimit të tarifave të vitit 1994, të cilat ishin rrëzuar si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe as vendimi i formës së prerë të Gjykatës së Apelit nuk e ndaluan Ministrinë e Ekonomisë që ta privatizonte kompaninë në ankand, duke i shitur aksionet e shtetit te një shtetas, i cili, sipas dokumenteve të prokurorisë, rezulton se ka njohje me Arben Ahmetajn.

Pas privatizimit, toka e ish-ndërmarrjes shtetërore u zhvillua për të ndërtuar qendrën Emerald. Prokuroria vë në dukje faktin se sipas dokumenteve të marrjes së lejes, zhvillimi i kësaj prone kërkoi një investim prej 1.13 miliardë lekësh, ose mbi 10 milionë euro. Ndërkohë, pronarëve të tokës u mbetën në dorë 5% të aksioneve nga 26% që u takonin.

Ahmetaj pretendoi se llogaritja e vlerës së aksioneve të pronarëve të truallit nuk ka sjellë humbje për shtetin, i cili më pas i shiti këto aksione si të vetat.

“Ish-pronarët e njërës prej aseteve të asaj kompanie, kanë kundërshtuar vlerësimin e pavarur të aksioneve të kompanisë. Vlerësuesit e pavarur, në bazë të ligjit, kanë bërë vleresimin, që nuk i ka kënaqur ish-pronarët e njërit prej aseteve të kompanisë. Nëse do të realizohej ajo që kërkonin ish-pronarët, aksionet e shtetit do të reduktoheshin me herë. Pra në thelb, duke u zbatuar ligji, janë mbrojtur aksionet e shtetit,” deklaroi Ahmetaj në Facebook nga arratia.

Ndryshe nga sa pretendon Ahmetaj, prokuroria ka ngritur akuzë për shpërdorim detyre në dëm të shtetasve dhe të shtetit.

“Provohet se veprimet e kryera nga i pandehuri Arben Ahmetaj bien në kundërshtim me aktet ligjore [dhe] nënligjore në fuqi dhe me vendimet e gjykatave,” thuhet në aktin e prokurorisë së posaçme të lexuar nga BIRN.

“Procedura e përllogaritjes së vlerës së truallit dhe përqindjes së pjesëmarrjes së ish-pronarëve, nuk është bërë në përputhje me rregullimin ligjor në kohën e nxjerrjes së aktit,” shkruhet më tej në aktin e njoftimit të akuzës.

Akuza për shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal përcakton dënim me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.

Akti i prokurorisë vëren gjithashtu se Ministria e Financave vijon të mos e ketë zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit në favor të pronarëve të tokës dhe pasojat e paligjshmërisë vijojnë të mos jenë korrigjuar.

“…akoma sot nuk janë rregulluar pasojat dhe nuk janë marrë masa në përputhje me kërkesat e përmbaruesve për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, duke sjellë për pasojë dëmtimin e interesave të shtetasve dhe të shtetit,” thotë prokuroria.

Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin

Gjesti simbolik për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani

Fotolajm/ Hidhet bojë e kuqe mbi fëmijët dhe në rrugë