Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, akuzon opozitën se po e saboton atë në arenën ndërkombëtare.
“Dikush i ka dërguar Borrellit letër nga Serbia, që të mos vendosë sanksione ndaj Kurtit, as ndaj atyre që keqtrajtojnë njerëzit. Ata kanë shkruar për të vendosur sanksione ndaj vendit të tyre. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë, askund, në asnjë vend. E kuptoni?”, tha ai.
Vuçiç shtoi se opozita e ka bërë këtë vetëm për përfitime politike dhe personale. Ai përsëriti ankesën e zakonshme se pret shumë presion ndërkombëtar pas zhvillimeve të fundit dhe se është në pritje të paketës që do të dërgojë në Beograd “pesëshja e madhe” e zyrtarëve të Francës, SHBA-ve, Italisë, Gjermanisë dhe BE-së.
Më 21 tetor, Serbinë e vizitojnë Miroslav Lajçak, Gabriel Escobar, Emmanuel Bonn, Jens Plotner dhe Francesco Talo. Presidenti serb adresoi edhe çështjen me Milan Radiçiç, që organizoi dhe kreu sulmin e armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Kosovës.
Vuçiç tha se ish nënkryetari i Listës Serbe do të gjykohet nga autoritetet serbe dhe bëri të ditur se po kryhen hetime edhe në qarqet e sigurisë së ushtrisë së Serbisë për dështime të mundshme të individëve në punën e tyre dhe për lidhje të mundshme me Radoiçiç.
“Prokurori po e ndjek atë për krime serioze, të cilat ai vetë i ka pranuar. Nuk ka qenë e nevojshme të dëgjosh askënd tjetër. Hetimi do të vazhdojë dhe më pas do të ngrihet aktakuzë. Kjo do të tregojë se prej nga kanë ardhur paratë dhe armët e paligjshme. Zbulimi i kësaj është obligimi ynë ndërkombëtar dhe kjo do të bëhet.”
Presidenti serb njoftoi gjithashtu se do të jetë në Nju Jork më 23 tetor për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për raportin e UNMIK-ut.