MENU
klinika

Tensione në Gjykatën e Korçës

Mbyllen hetimet për Martin Çeçon pas 15 muajsh

14.10.2023 - 09:05

Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet pas 15 muajsh hetime për vrasjen e Martin Çeços.

Sipas grupit hetimor, autorë të dyshuar të vrasjes me paramendim të 26-vjeçarit janë Valter Mollaj, kushëriri i tij Edlir Mollaj, bariu i punësuar Bledi Angjo dhe bashkëfshatarja e tyre Martina Pajollari.

Katër personat akuzohet se e kanë kryer vrasjen në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Prokuroria pretendon se ka arritur të provojë dhe motivin i cili është xhelozia e lindur nga Valter Mollaj i martuar dhe me 3 fëmijë që kishte një lidhje dashurie të fshehtë prej 5 vitesh me 18-vjeçaren Tina Pajollari dhe nuk pranonte që kjo e fundit të lidhej me Martin Çeçon.

Gjatë hetimeve, Prokuroria pretendon se Martin Çeço dhe Martina Pajollari nuk ishin takuar kurrë me njëri-tjetrin.

Po ashtu, Prokuroria shprehet se ka arritur të provojë se ditën e ngjarjes Martina Pajollari ishte në një lidhje të dyfishtë dashurie me dy persona të tjerë të fshatit Marjan, shtetasit E. M. dhe A.H., madje me njërin prej tyre kishte kryer dhe marrëdhënie seksuale kundrejt dëshirës.

Pavarësisht këtij fakti, grupi hetimor pretendon se duke u bazuar në dëshmitë e Tina Pajollarit dhe bariut Bledi Angjo, Valter Mollaj ka kërcënuar nëpërmjet telefonit Martin Ceçon dhe më pas duke përfshirë dhe kushëririn e tij Edlir Mollaj janë nisur të 4 drejt fshatit Kolanec dhe kanë dhunuar dhe më pas mbytur me litar 26-vjeçarin Martin Çeço.

Martina Pajollari ka pretenduar se dëshmitë në fazën fillestare të hetimit i janë marrë nën kërcënim dhe shantazh nga dy oficerët e policisë Leonard Ndreka dhe Klau Ogrenaj.

Pajollari ka deklaruar se ajo nuk e ka takuar apo folur kurrë me Martin Çeçon të cilin e njihte vetëm nga kërkesat për miqësi dhe mesazhet që ky i fundit i kishte dërguar në Facebook. Kërkesa dhe mesazhe të cilave nuk iu ishte përgjigjur asnjëherë.

Dy të akuzuarit e tjerë Valter dhe Edlir Mollaj e deklarojnë veten të pafajshëm. Ndërsa Bledi Angjo për të cilin ekspertiza e prokurorisë e ka nxjerrë me zhvillim të vonuar mendor, nëpërmjet avokatit mbrojtës ka kërkuar që të akuzohet vetëm për moskallëzim krimi e jo për vrasje me paramendim.

Ditën e sotme në Gjykatën e Korçës është zhvilluar seanca e parë që është shoqëruar me tensione. Raportohet se nga ana e stafit të gjykatës, vëllai dhe motra e viktimës nuk janë lejuar të futen në sallë, ndërsa babai është nxjerrë pak minuta më pas për shkak të gjendjes së rënduar emocionale. Familjarët kërkojnë dënimin maksimal të autorëve të ngjarjes.

Grupi hetimor për vrasjen e Martin Çeços përbëhet nga prokurorja Oli (Ollga) Visi dhe 3 oficerët e policisë gjyqësore Leonard Ndreka, Klau Ogrenaj dhe Vangjush Menkshi.