Bitcoin ka humbur rreth 3.5% të vlerës gjatë kësaj jave dhe po tregtohet poshtë 27 mijë dollarëve në sesionin e sotëm. Edhe ethereum është në rënie dhe po tregtohet në nivelin më të ulët në 7 muajt e fundit, pranë 1525 dollarë.
Tregu i kriptomonedhave është gjendur nën presion gjatë kësaj jave, për shkak të rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe mundësive për një rritje të normës bazë të interesit në SHBA.
Analistët deklarojnë se bitcoin po konsolidohet pranë nivelit të 26,800 dollarëve, pasi humbi thuajse të gjitha fitimet e realizuara gjatë tetorit. Indeksi i Çmimeve Konsumatore u rrit me 0.4% me bazë mujore dhe me 3.7% me bazë vjetore, pak më lart se parashikimet e analistëve.
Të shtunën e kaluar, rritja e tensioneve gjeopolitike e vuri nën presion tregun e kriptomonedhave pasi cilësohet si një aset me risk. Ethereum, që është kriptomonedha e dytë më e madhe në botë për nga kapitalizimi në treg, ka prekur nivelin më të ulët në 7 muajt e fundit prej 1525 dollarë. Kjo kriptomonedhë ka humbur rreth 5.6% të vlerës gjatë kësaj jave.
Pavarësisht performancës së dobët, një studim i fundit i kryer nga Marketplace zbuloi se Ether ishte alternativa më e mirë e Bitcoin në 2023, duke udhëhequr rezultatet e kërkimit në mbarë botën me mbi 3.26 milionë kërkime mujore, e ndjekur nga Dogecoin me 1.65 milionë kërkime mujore.