Zakonisht fraza “duhet jo më pak, por më shumë Evropë” është tashmë një klishe që ka lodhur veshët e shumë banorëve të këtij kontinenti. Projekti i përbashkët evropian ka humbur në dekadën e fundit shumë nga zmalti i dikurshëm i atij premtimi madhor e historik, që ofronte një shtëpi të përbashkët për vendet e kontinentit të vjetër. Britania e Madhe vendosi shtatë vjet më parë që nuk duhej më shumë, por më pak Evropë në territorin e saj. Po vuan edhe ajo pasojat e atij vendimi ekstrem, ndërkohë që disa mijëra kilometra lart ishullit britanik, në cepin tonë modest që njihet si Ballkani Perëndimor, BE vijon të ketë një farë sharmi. Jo atë të dikurshmin, por sërish tërheqja është e dukshme.
Mbledhja e krerëve evropianë në Tiranë në Samitin e Procesit të Berlinit na vendos ne shqiptarëve (në të dyja shtetet shqiptare), por edhe serbët, boshnjakët, malazezët e maqedonasit, përballë një pasqyre në të cilën e kemi ende të vështirë të shihemi. Nëse Evropa e Bashkuar ka probleme brenda vetes, ajo vijon akoma të shfaqet si një mirazh dhe si një premtim për t’u përmbushur, për vendet e varfëra e të pastabilizuara të Ballkanit Perëndimor. Nuk kemi standarte të pranueshme demokracie, jemi ekonomikisht të varfër dhe nuk i kemi zgjidhur ende problemet mes nesh. Aq sa nëse lihemi vetëm në fatin tonë, s’e kemi fare të vështirë t’ju rikthehemi instikteve tona më të shëmtuara. Shikoni Bosnjën dhe Kosovën! Shikoni edhe sesi vetëm politika e lartë evropiane arrin të ulë në tryezë ata që urrehen e kërcënohen mes vetes.
Bashkimi Evropian është një krijesë që përmbledh sot vendet më të zhvilluara të këtij kontinenti. Për ne ballkanasit ajo është ende objektivi madhor, projekti që do të na ndihmojë në kapërcimin historik të gropës në të cilën na la historia. Natyrshëm nuk kemi të bëjmë me një klub engjëjsh, as me ndonjë familje pa sherre e probleme. Por projekt tjetër s’ka, të paktën për ne si shqiptarë, në qoshen tonë të vogël, një i tillë sot nuk egziston.
Prandaj zbritja e Evropës së Bashkuar në kryeqytetin tonë vijon të zgjojë shpresë dhe pritshmëri. Na duhet më shumë Evropë në mjedisin tonë ku shteti vijon të mbetet i brishtë, demokracia e korruptuar dhe ligji i zbatueshëm në mënyrë selektive. Nuk na duhen edhe aq shumë paratë e Evropës, sesa fryma e Evropës, mënyra e saj e të respektuarit të rregullave të lojës, e të ndërtuarit të një mjedisi normal demokratik. Nëse evropianët janë të nginjur me Evropën e tyre, ne ballkanasit të ndodhur vite larg nivelit të tyre të zhvillimit, e shohim ende Bashkimin Evropian si një shans për të rregulluar lodrën historikisht të prishur ballkanike.
Tirana do të jetë për disa orë qendra e Evropës politike e kjo për një vend si Shqipëria përbën një sukses jo të vogël. Është një sukses i merituar por edhe një sfidë që duhet ditur si të maksimalizohet në efektet e saj pozitive. Afërmendsh ky samit nuk do të na bëjë më të mirë brenda ditës. Tashmë jemi të gjithë të qartë se nuk bëhet fjalë për ditë, as muaj, as vite, por për dekada në rrugën drejt lënies pas shpine të së shkuarës. Gjithsesi nuk është e tepërt të shpresohet se duke na futur në hullinë e rregullave dhe semaforëve, Evropa po e bën gradualisht më të mirë rajonin tonë. Duhet të shohim tendencën përtej ngjarjeve të veçuara, trendin e përgjithshëm matanë sherreve e incidenteve, qofshin këto edhe të rënda. Rruga e stabilizimit dhe zhvillimit kalon edhe një herë përmes Evropës. Shteg tjetër nuk ka.