Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një reagim lidhur me Samitin e sotëm në Tiranë, deklaroi se Procesi i Berlinit është me një rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Ai shtoi se kjo është arsyeja përse qeveria shqiptare duhet të shpallë zyrtarisht heqjen dorë nga nisma e rrezikshme Rama-Vuçiç për Ballkanin e Hapur.
Në reagimin e tij Bardhi foli dhe për mesazhin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, për garantimin e legjitimitetit demokratik dhe për gjithëpërfshirje në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Sipas tij, fjalimi i Lindita Nikollës, nuk ishte asgjë tjetër veçse hipokrizi, pasi sipças tij gjithpërfshirja nuk do të thotë përjashtimi nga kuvendi dhe mohimi i të drejtave kushtetues, të opozitës.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e konsideron Procesin e Berlinit me një rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Prandaj, qeveria shqiptare duhet të shpallë zyrtarisht heqjen dorë nga nisma e rrezikshme Rama-Vuçiç për Ballkanin e Hapur. Procesi i Berlinit duhet të jetë e vetmja linjë zyrtare në ndërtimin e marrëdhënieve rajonale dhe europiane. Grupi Parlamentar i PD dhe opozita mbështet pa kushte integrimin europian si prioritetin absolut kombëtar. Ne mbështesim çdo reformë që çon përpara anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe, në 33 vjet, kemi treguar se jemi partia që kemi vënë interesin kombëtar përpara interesit politik.
Mirëpo, fatkeqësisht Samiti i Procesit të Berlinit e gjeti Shqipërinë me Qeverinë më të korruptuar në Europë dhe me një Parlament-noter të akteve korruptive të kryeministrit që, me forcën e kartonit, ka mbyllur çdo hapësirë institucionale për opozitën. Nuk ka asgjë të sinqertë në deklaratën e sotme të Kryetares së Kuvendit “për garantimin e legjitimitetit demokratik dhe për gjithëpërfshirje në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”. Më së paku, kjo është hipokrizi!
Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke përjashtuar opozitën!
Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke i mohuar opozitës të drejtat kushtetuese.
Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke rrëzuar kërkesat për kontroll parlamentar përmes Komisioneve Hetimore.
Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke bllokuar të drejtën e opozitës për pjesëmarrje në Reformën Zgjedhore.
Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke përjashtuar opozitën në mënyrë arbitrare dhe duke mbyllur çdo hapësirë institucionale.
Asgjë nga këto nuk është gjithëpërfshirje, por një tentativë e qartë e partisë në pushtet për të eliminuar opozitën dhe pluralizmin politik në Shqipëri!