MENU
klinika

Çfarë pret Shqipëria nga BE-ja?

Si do bëhet dyfishimi i ekonomive në Ballkan brenda 10 vitesh

18.10.2023 - 09:45

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen bëri një deklaratë për dyfishimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në 10 vite, për t’u afruar kështu me mesataren e të ardhurave të BE-së.

Ajo gjithashtu premtoi 6 miliardë euro, nëse vendet fillojnë bashkëpunimin e plotë dhe zbatimin e reformave. Ekspertët shprehen se plani i ri i rritjes, siç është pagëzuar, bazohet në katër shtylla kryesore

“E gjitha kjo bazohet në katër shtyllat që u dhanë si orientim, ku e para ishte krijimi I një tregu unik digjital I cili nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe investimeve për të, të mundësojë çlirimin e atyre potencialeve që nuk kanë nevojë për afërsi fizike. Më tej është inkurajimi i atyre bashkëpunimeve ekonomike që vendet e Ballkanit i kanë me njëri-tjetrin, vazhdimi i reformave, siç është reforma në drejtësi dhe nga ana tjetër prokurimet publike ku theksi kryesor u vu tek korrupsioni”, tha Eduart Gjokutaj.

Kryeministri Edi Rama përpara liderëve evropianë procesin e marrjes së fondeve nga BE, e cilësoi të vjetërsuar. Shqipëria është e treta për projektet e financuar me kredi nga BE dhe e katërta për marrjen e granteve. Ekspertët thonë se problemi duhet zgjidhur fillimisht së brendshmi

“Këtu lidhet me detyrat e shtëpisë, pasi që të aplikosh për të marrë projekte duhet të jesh shumë i përgatitur me kapacitetet e brendshme me mënyrën se si janë të ndërtuara këto lloj procedurash dhe me zbatimin e legjislacionit të vendeve përkatëse. Është njësoj si të shkosh në bankë dhe të plotësosh formular dhe kritere që banka të vendos për projektet e tua. Këtu Shqipëria ka dobësi, pasi nuk ka përfituar shumë projekte qoftë për shkak të mënyrës se si janë konceptuar apo mënyrës se si korrupsioni ka ndikuar”, tha Gjokutaj.

Fondet e dhëna nga BE në gati 10 vite përbëjnë pothuajse 11% të PBB-së së rajonit. Kështu angazhimi financiar që kërkohet për përshpejtimin e integrimit ekonomik sipas ekspertëve duhet të rritet dhe të kanalizohet në sektorë të tjerë

“Zgjerimi i portofoleve për të investuar në sektorë të tjerë siç është bujqësia, e cila nuk ka nevojë vetëm për subvencionime nëpërmjet fondeve të IPARD, por nga ana tjetër edhe të rrisë produktivitetin dhe vlerën e shtuar”, tha Gjokutaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN