MENU
klinika

Kërkohet mbështetje për qytetarët

Shqipëria mund të ketë probleme me energjinë në dimër

18.10.2023 - 18:55

Dimri i këtij viti, 2023/2024, do të rikthejë problemet me furnizimin e energjisë në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit.

Kështu parashikon Sekretariati i Energjisë së Bashkimit Europian në raportin e fundit.

“Stabiliteti do të varet nga faktorë të tillë si konsumi i energjisë elektrike, veçanërisht gjatë periudhave të të ftohtit dhe nga kushtet hidrologjike (çekuilibër të mundshëm në vende si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). Si edhe disponueshmëria e kapaciteteve ekzistuese për ngrohjen për të sigurojë disponueshmëri të lartë dhe të zvogëlojë rrezikun”, analizon Sekretariati.

Raporti thekson se ndonëse në të gjashta vendet janë bërë përparime dhe investime në tranzcionin energjetik, ato mbeten përsëri vulnerabël ndaj skenarëve ekstreme.

“Interesi i lartë i investitorëve, duke arritur rreth 20 Gw në Serbi, rreth 7 Gw në Bosnje dhe Hercegovinë, mbi 4 Gw në Maqedoninë e Veriut dhe investime në shkallën gigavat në Shqipëri dhe Mali i Zi, sugjerojnë mundësinë e zhvillimit të shpejtë të kapaciteteve (2-3 vjet). Megjithatë, pengesat që lidhen me procedurat e lejeve, lidhjes në rrjet dhe balancimin e sistemit të energjisë për shkak të burimeve të kufizuara të fleksibilitetit duhet të adresohen urgjentisht” thuhet në raport.

Si zgjidhje për një dimër të sigurt dhe pa risqe, Sekretariati sugjeron përshpejtimin e integrimit të burimeve të rinovueshme, krijimin e tregjeve të likuiditetit të energjisë elektrike (veçanërisht tregjet brenda ditës dhe ato balancuese), rritjen e shkëmbimeve ndërkufitare dhe përafrimin e çmimeve të energjisë elektrike me pakicë me tarifat e shitjes me shumicë duke ofruar mbështetjen e nevojshme për konsumatorët vulnerabël, veçanërisht gratë, fëmijët dhe minoritetet, të cilët janë më të cenueshëm ndaj varfërisë energjetike.

Risku i fundit është ai që lidhet me gazin që ashtu si vitin e shkuar edhe këtë dimër shihet si problem të paktën për vendet që kanë një përdorim të gjerë ku Shqipëria nuk bën pjesë.