Dy persona janë plagosur me thikë në Korçë, në zonën e Pazarit nga një 36-vjeçar që dyshohet se vuan nga problemet e shëndetit mendor.
Mësohet se autori në fillim ka goditur një zonjë (pronare e një dyqani në zonën e ish tregut) më pas ka ndërhyrë edhe një qytetar për t’i ndarë por autori ka goditur dhe atë në kokë.
Policia ka shoqëruar autorin në komisariat.
Njoftimi i policisë:
Korçë/Plagosi me mjet të mprehtë 2 shtetas, kapet dhe shoqërohet në Polici, autori i dyshuar i ngjarjes.
Më datë 19.10.2023, rreth orës 10:00, në lagjen nr. 8, në zonën e Pazarit, Korçë, shtetasi J. M., 36 vjeç, banues në Korçë, ka dëmtuar me mjet të mprehtë, shtetasen A. M., 52 vjeçe dhe shtetasin V. Sh., 60 vjeç, në momentin kur ky i fundit ka ndërhyrë për të neutralizuar situatën, të cilët u dërguan për mjekim në spitalin e Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e para dyshohet se autori i ngjarjes, vuan nga probleme të shëndetit mendor. 36-vjeçari menjëherë u kap nga shërbimet e Policisë dhe aktualisht ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.