Policia ka zbardhur detaje nga vrasja e 70-vjeçarit Musa Bajraktari, i cili dyshohet se u vra nga fqinji i tij me sëpatë.
Uniformat blu raportojnë se viktima, nga fshati Kullaj, u godit me sëpatë në kokë nga fqinji, Xhemal Zeqiri, i cili më pas e hodhi në kanalin në fshatin Boks.
Trupi i pajetë u gjet mesditën e së enjtes (19 tetor) dhe fillimisht u dyshua për vdekje natyrale, pasi nuk ishin konstatuar shenja dhune.
Por pas ekspertizës, u zbulua se Musa Bajraktari ishte goditur për vdekje nga fqinji 60-vjeçar për motive të dobta, i cili u arrestua për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga fqinji i 70-vjeçarit, i cili nga hetimet e thelluara rezultoi se vrau këtë shtetas, me mjet prerës, pas një konflikti për motive të dobëta.
Sekuestrohet mjeti prerës (sakicë), me të cilin u krye vrasja.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 19.10.2023, në fshatin Boks, Shkodër, ku në një kanal u gjet trupi i pajetë i shtetasit M. B., 70 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për të cilin paraprakisht u dyshua se e kishte humbur jetën, prej shkaqeve natyrale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ata të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, për të cilën u vu në pranga shtetasi:
-Xh. Z., 60 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Nga provat e siguruara dyshohet se 60-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (sakicë), në kokë, shtetasin M. B., i cili për shkak të goditjes, ka rënë në kanalin e fshatit Boks, ku u gjet i pajetë më pas.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (sakicë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.