Ish-kryeministri Sali Berisha mbrëmjen e sotme është pyetur nga gazetarët nëse i trembet një arrestimi të mundshëm pas dhëndri iu prangos mbrëmjen e sotme.
Ai tha se është i përgatitur për çdo gjë.
“Këto akuza janë politike. Sali Berisha është i përgatitur për cdo gjë për kauzën e tij. Është pjesë e kauzës time kjo betejë. Unë do të qëndroj me të gjithë forcën time, kudo.
Të akuzosh Sali Berishën për larje parash duhet të jesh i pafytyrë. Ata që firmosin gjëra të tilla nuk kanë as fytyrë dhe as karakter.” tha Berisha.
Mbrëmjen e sotme është arrestuar në aeroportin e Rinasit Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike.
Dëshmitarët kanë parë policinë që ka shoqëruar zotin Malltezi në momentin që ka mbërritur në aeroport për të udhëtuar jashtë vendit, ndërkohë që arrestimi është bërë me urdhër të SPAK.
GJKKO vendosi masën “arrest me burg” për Malltezin, i cili është i dyshuar për pastrim parash dhe korrupsion. Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro të të gjitha pasurive të tij.