SPAK zbuloi mbrëmë akuzat zyrtare që rëndojnë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi.
Mësohet se Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe 25 i Kodit Penal.
Nga ana tjetër Jamarbër Malltezi, i cili u arrestua dje në Rinas, akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me Fatmir Bektashin sipas nenit 287 të Kodit Penal.
Për ndërtuesin Fatmir Bektashi u dha masa ‘detyrim paraqitje’ dhe ndaj tij rëndon akuza për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale në bashkëpunim me Malltezin. Siç edhe u raportua dje Malltezi u dërgua nga Rinasi drejt dhomave të izolimit në drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ndërsa sot do të pyetet nga prokurorët e posaçëm për këtë çështje. Dje në një dalje për mediat, Berisha deklaroi se Malltezi ishte arrestuar vetëm se ishte dhëndri i ish-kryeministrit dhe se ndaj tij nuk kishte asnjë provë që e inkriminonte.