Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në New York, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë.
Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Presidentja Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.
Ndër të tjera, Presidentja Osmani do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.
Para takimit të Këshillit të Sigurimit, Presidentja pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate.
Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 21:00 me kohë të Kosovës ndërkaq në orën 15:00 me kohë të New York-ut.