Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore është vënë në pranga në Durrës. Ai quhet Lorenc Luku, 38 vjeç, i cili më parë ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje.
Gjatë operacionit të koduar “Baza”, policia zbuloi një banesë që Luku e kishte përshtatur për riparimin dhe për shitjen e armëve, municionit luftarak dhe sendeve të tjera që dyshohet se siguroheshin për t’u përdorur nga grupe kriminale.
Uniformat blu sekuestruan në këtë mënyrë 1 armë zjarri “Scorpion” me silenciator, 3 skelete pistoletash, një sasi të konsiderueshme fishekësh të armëve të zjarrit dhe të gjahut, 9 celularë dhe 5 ora dore të markave të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.