Aleksandër Vuçiç, ka shmangur paraqitjen në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Siç shkruan media serbe “Danas”, pavarësisht faktit të padiskutueshëm se sundimi i tij karakterizohet nga kontrolli absolut i të gjitha institucioneve, ai dërgoi kryeministren Ana Brnabiç në një nga takimet më të vështira në nivel ndërkombëtar për Kosovën.
“Nëse në Serbi do të ishte në fuqi një regjim demokratik, atëherë nuk do të kishte nevojë të komentohej pjesëmarrja e kryeministres Ana Brnabiq në seancën e OKB-së”, tha për Danas, Robert Kozma, deputet i Frontit të Gjelbër-Majtas në Parlamentin serb.
Mirëpo, shton ai, bëhet fjalë për transferimin e “patates së nxehtë” nga Vuçiç te kryeministrja dhe shmangien e situatës së pakëndshme në të cilën u gjend pasi u konstatua se ai e bazoi politikën e Kosovës në kriminelët që janë listën e sanksioneve për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar, nga Britania dhe SHBA.
“Vuçiç po i shmanget qëndrimeve kritike në seancën e OKB-së”, thotë ai. Ndërsa Daçiçin, nuk e lejoi të shkonte në Nju Jork, sepse nuk ka besim tek ai dhe nuk ka besim në aktivitetet e tij diplomatike.
Sipas Sanda Rashkoviç Iviç, deputete e Partisë Popullore në Parlamentin e Serbisë, detyra e Aleksandër Vuçiçit si kreu i shtetit dhe një njeri që mburret se lufton i vetëm, duke “harruar” të thotë se ka uzurpuar të gjitha levat dhe institucionet dhe se ka negociuar pa platformën që ai duhej ta miratonte edhe nga Qeveria edhe nga Kuvendi.
Siç shton e intervistuara, ai e dërgoi Ivica Daçiçin edhe në Bruksel për të nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit me të cilën Serbia dhe institucionet e saj u dëbuan nga veriu i Kosovës.