MENU
klinika

Viti i Skënderbeut

Filmi “Skënderbeu” mbledh artistët në Krujë

21.12.2018 - 17:57

Në mbarim të vitit të Skënderbeut, mbrëmë në qytetin e Krujës artistët u bënë bashkë në kujtim të Heroit Kombëtar, duke risjellë në vëmendje dhe filmin “Skënderbeu” të vitit 1953. 

Për të pranishmit nuk munguan dhe dy premiera të tjera filmi. Për këtë produksion, që u realizua dekada më parë, u sollën në vëmendjen e publikut mbresa nga artistë dhe kineastë të njohur nëpërmjet sekuencave filmike nga realizimi i filmit “Skënderbeu”.

E ftuar speciale në këtë mbrëmje festive Adivie Alibali Sharofi, në rolin e motrës së Gjergj Kastriotit, Mamicës, e vetmja aktore e kastit të filmit që ka mbetur gjallë. 

Ky show kinematografik ishte nën moderimin e Silvana Braçes, dhe u organizua nga Bashkia e Krujës. Producenti Skënder Jaçe tregon se ky aktivitet është në vijim të veprimtarive që janë bërë dhe në qytete të tjera me filmat, por në Krujë merr një rëndësi të veçantë pasi zhvillohet në kuadër të Vitit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Filmi “Skënderbeu” është një produksion shqiptaro- rus i vitit 1953 nga regjisori i njohur rus Sergei Yutkeviç, ku luajnë dhe artistët shqiptarë si Naim Frashëri, Adivie Alibali, Besa Imami, Marie Logoreci, Ndrec Shkjezi, Kadri Roshi, Mihal Popi, Lec Shllaku etj.

Në rolin e Mamicës, Adivie Alibali Sharofi na sjellë të gjallë luftën heroike dhe qëndresën e madhe kundër Perandorisë Otomane, të heroit tonë kombëtar, luftëtarit dhe diplomatit Skënderbeu luajtur me mjeshtëri nga aktori rus Akaki Khorava. 

Filmi “Skënderbeu” u shfaq në Shqipëri në 28 nëntor të vitit 1953 njëkohësisht dhe në Moskë. Në USA 3 korrik 1954 në New York, si dhe në 10 shtete të Evropës si: Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Danimarka, Suedia etj.