Tremujori i fundit i vitit daton me periudhën kur Ministria e Financave harton projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin pasardhës dhe duket se puna ka nisur për këtë proces. Përpos asaj që mendohet të ndërmerret nga qeveria, SCAN ka mësuar se u është kërkuar edhe përfaqësive të bizneseve që të nisin kërkesat e tyre lidhur me paketën fiskale të vitin 2024.
Por çfarë pritet të ndryshojë për bizneset dhe qytetarët në 2024-ën?
Ndryshime do të ketë në akcizën e duhanit , me një rritje mesatarisht 250 lekë për kg, duke arritur çmimin prej 7250 lekë/1000 fije nga 1 janari 2024, çka do të reflektohet edhe në çmimin final të shitjes, me rreth 20-30 lekë. Ndryshimet ligjore në ligjin për akcizat parashikojnë rritje progresive të akcizës mbi duhanin deri në vitin 2026. Gjatë vitit 2022 të ardhurat në buxhet nga akciza e duhanit ishin rreth 28.3 miliardë lekë, duke u listuar si zëri i dytë me peshën më të madhe në të ardhurat totale doganore, pas karburanteve. Ndërkohë do të nisë të aplikohet taksimi mbi profesionet e lira, që është rrjedhojë e ligjit të miratuar këtë vit “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%. Gjithashtu, brenda vitit pritet të miratohet dhe të hyjë në fuqi projektligji për lojërat e fatit, i cili sjell ndryshime sa i takon basteve on line, ku parashikohet që organizatorët e kategorisë “Baste sportive on line” të tatohen në masën 25 % të të ardhurave bruto nga loja dhe kazinotë 25%.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka dhënë pak kohë më parë paralajmërimin se në këtë paketë do të jetë pjesë edhe taksimi i pronave që jepen me qira ditore, ku përfshihen Booking dhe Air BnB, si dhe vendosja e çmimeve të referencës për hotelet.
Po ashtu, qeveria në bazë të rekomandimeve dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar por edhe Banka Botërore duket se do të rishikojë edhe ligjin për “Tatimin mbi vlerën e shtuar”, duke prekur disa favorizime siç janë ato në sektorin e turizmit, që siç e theksoi pak ditë më parë edhe vetë kryeministri Edi Rama, ulja e TVSH-së në sektorin e turizmit në 6% në vitin 2017 nuk ka sjellë efektet e pritura në buxhet dhe në formalizmin e industrisë në tërësi. Për këtë arsye, duket se do të ketë ndryshime në këtë segment.