Përfaqësuesit ligjorë të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Alfred Beleri, i arrestuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, paraqitën të martën më 24 tetor dy kërkesa për përjashtimin e anëtarëve të trupit gjykues dhe kërkuan shtyrjen e seancës, por procesi vijoi dhe ata paraqitën pas prokurorisë, parashtrimet e tyre dhe kërkime të reja.
Kërkesat e tyre për përjashtim u paraqitën pasi gjykata u shpreh lidhur me kërkime të paraqitura në seancat parardhëse për pavlefshmëri të kërkesës për gjykim të prokurorisë dhe të akteve të hetimit, duke pretenduar se nuk është zbatuar afati që u jep të drejtën të pandehurve të paraqesin memorie, prova, etj. Po ashtu, është kërkuar pavlefshmëri absolute e urdhërit të Prokurorisë së Vlorës lidhur me hetimin e kryer si dhe akteve që rrodhën nga ky procedim, me argumentin se është nxjerrë në kundërshtim me ligjin pasi vepra penale e regjistruar është jashtë kompetencës lëndore.
Kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari Erjon Çela deklaroi se gjykata me vendim të ndërmjetëm ka vendosur të mos i pranojë këto kërkesa, duke i konsideruar të pabazuara. Gjykata konstaton se kur Prokuroria e Posaçme i ka marrë të pandehur Alfred Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin, u ka komunikuar atyre të drejtën se brenda 10 ditëve mund të paraqisnin memorien apo prova.
Në vijim gjykata vërejti se me afatin 10 ditor, i pandehuri nuk humbet përfundimisht të drejtën për të dorëzuar prova, si dhe u theksua se ato të drejta u janë garantuar.
Lidhur me kërkesën ndaj urdhërit të Prokurorisë së Vlorës, gjykata vlerëson se ky institucion i akuzës ka të drejtën për të kryer hetime, edhe pse vepra penale është pjesë e kompetencave së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Gjykata gjeti të pambështetur edhe pretendimin e të pandehurve për pavlefshmërinë e akteve të prodhuara pas urdhërit të Prokurorisë së Vlorës. Sipas gjykatës, përgjimet e kryera në funksion të hetimit janë realizuar bazuar në autorizimin e gjykatës dhe se pretendimet për mospërputhjen e datave në akte me ato në sistem, nuk mund të sjellin papërpdorshmëri.
Avokatët e të pandehurve deklaruan se kishin kërkuar pavlefshmërinë e akteve dhe jo papërdorshmërinë e tyre, pasi këtë do ta kërkonin në një moment të dytë.
Ata kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, por kryesuesi Çela vërejti se gjykimi do të vijonte, pasi gjyqtarja për të cilën është kërkuar përjashtimi nuk mund të marrë pjesë vetëm në vendimarrjen përfundimtare të çështjes penale.
Pas këtij qëndrimi të gjykatës, përfaqësuesit e Belerit dhe Kokaveshit u shprehën se mjaftonte fakti se gjykata u shpreh në këtë moment procedural lidhur me papërdorshmërinë e akteve, si shkak i mjaftueshëm për kërkimin e përjashtimit të trupit gjykues. Ata kërkuan kohë që të njoftonin të përfaqësuarit prej tyre dhe shtyrjen e seancës.
Kryesuesi Çela e cilësoi si të drejtë të palëve kërkimin për përjashtimin e gjyqtarëve, por ai ripërsëriti se dhe në këtë rast nuk kishte shkak për ndërprerjen e gjykimit. Sipas tij, gjykimi duhet të vijonte, por gjyqtarët nuk mund të marrin pjesë në vendimarrjen e themelit të çështjes deri në momentin e shqyrimit të këtyre kërkesave.
Në vijim, gjykata e deklaroi të hapur gjykimin e çështjes ndaj Belerit dhe përfaqësuesja e SPAK paraqiti parashtrimet lidhur me akuzën e ngritur ndaj dy të pandehurve dhe provave të siguruara gjatë hetimit. Sipas prokurorisë, është provuar tej çdo dyshimi se Beleri i ka ofruar një personi që bashkëpunoi me policinë, 50 euro për për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi. Prokurorja renditi një sërë përgjimesh ku diskutohej për blerjen e votave në favor të Belerit, ku dhe ky i fundit dhe Kokaveshi rezultojnë të përfshirë.
Prokuroria kërkoi që në seancën e radhës të pyeten 11 dëshmitarë, mes tyre edhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Arsen Rama.
Alfred Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.
Mbrojtësit e të pandehurve e cilësuan procedimin të filluar pas trysninë së kryeministrit Edi Rama. Ata theksuan se paligjshmëria e procesit ndaj Belerit duket dhe nga qëndrimi i gjykatës që u shpreh për papërdorshmërinë e provave, duke paragjykuar se çfarë do të kërkonte mbrojtja.
Në vijim, ata i cilësuan provat e prokurorisë si të siguruara në mënyrë të paligjshme dhe se nuk munden të provojnë faktin penal. Sipas tyre, rezultatet e vëzhgimit janë të papërdorshme pasi janë kryer para se të regjistrohej procedimi penal. Ndër të tjera, u vërejt se përgjimet e vëzhgimet janë kryer nga policia duke pasur bindjen se prokuroria do t’u jepte autorizim. “Përgjimi lejohet ndaj personit nën hetim, kur ka dyshime të arsyeshme,” theksuan mbrojtësit e të pandehurve.
Ata theksuan se autorizimi nuk mund të merret në telefon, por me shkrim dhe për rrjedhojë i cilësuan të papërdorshme provat ndaj dy të pandehurve. Mbrojtësit kërkuan që pas konstatimit të papërdorshëm të provave të prokurorisë, të mos merren në konsideratë në kundërshtim me ligjin.
Në përfundim, avokatët i kërkuan gjykatës që të administrojë një sërë provash të reja, mes tyre dhe vërtetim nga Ministria e Brendshme nëse Arsen Rama është paguar nga fondi për bashkëpunëtorët sekret. Po ashtu, u kërkuan të thirren rreth 32 dëshmitarë, mes tyre dhe deputeti e kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, me anë të të cilëve u pretendua se do të provohet e kundërta e asaj që parashtron prokuroria.
Kryesuesi Çela u kërkoi avokatëve që paraprakisht të vërtetojnë pamundësinë e tyre për të siguruar provat dhe atëherë mund të kërkojnë investimin e gjykatës. Seanca e radhës u shty për më datë 7 nëntor, në orën 12:00.