MENU
klinika

Nga Mero Baze

17 kullat!

24.10.2023 - 19:01

Gjatë një përballje televizive dëgjova Berishën që kur ju përmend shifra 5,4 milion euro të përfituara prej dhëndrit të tij duke startuar me 113 metra katror tokë, pa paguar asnjë lekë, tha gjithë siguri, “në dijeninë time janë më shumë”.

Në një farë mënyre donte ta injoronte shifrën formale të nxjerrë nga hetimet e SPAK.

Dhe ka të drejtë.

Shifra e nxjerrë nga hetimet e SPAK, ka të bëjë me fitimin formal, të shitjes me çmim reference të 17 kullave dhe jo me çmimin real. Çmimi real natyrisht është disa fish më shumë dhe ato janë paratë informale të familjes Berisha.

Por Berisha nuk e bëri për të demaskuar veten, por për të treguar se nuk i bëjnë përshtypje shifra të tilla 5,4 milion euro apo 17 kulla. Atij nuk i bën përshtypje as fakti që qeveria e tij është vënë pesë herë në lëvizje me ligje specifike vetëm për pronën e dhëndrit të tij. Dhe mbi të gjitha, këmbëngulja e tij që procedurat e përftimit janë të rregullta, është argument kryesor.

Ajo që bën sikur nuk kupton Berisha dhe ata që e mbështesin, është se Berisha nuk po akuzohet se dhëndri i tij ka grabitur 17 kulla dhe një tokë pa leje të Berishës. Ai po akuzohet se ka bërë ligje që i kanë mundësuar dhëndrit të tij të përfitojë këto miliona dhe 17 kulla. Për këtë arsye, Berisha është i akuzuari kryesor.

Më thjeshtë, Berisha është nën akuzë për kapje të shtetit prej dhëndrit të tij. Hetimi i SPAK është jo vetëm i thellë dhe serioz, por është dhe modern dhe nën frymën e ligjeve të Bashkimit Evropian, që godasin kapjen e shtetit prej njerëzve të pushtetit.

Nuk është shkelje të blesh 80 për qind të godinës me bono privatizimi sikur të jetë ligj i përhershëm. Shkelje është që ky ligj bëhet kur kërkon pronën dhëndri dhe u ndalet atyre që e kanë blerë më parë.

Nuk është shkelje të japësh leje ndërtimi pasi një pronar si dhëndri ka një certifikatë pronësie, shkelje është si e ka marrë certifikatën e pronësisë.

Nuk është shkelje të ndërtosh në një tokë që ka qenë më parë klub sportiv, problem është pse e ke hequr nga destinacioni i klubit sportiv për dhëndrin tënd.

Nuk është shkelje të shesësh pallate pasi i ke ndërtuar, shkelje është të deklarosh 5.4 milionë euro fitim dhe të mos kesh paguar asnjë qindarkë në start.

Pra në thelb këtu nuk është nën akuzë Jamarbër Malltezi, por Berisha dhe pushteti i tij.

Jamarbër Malltezi është akuzuar për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror, kryer në bashkëpunim” dhe jo për “korrupsion aktiv”. Ai është nën akuzë pasi vjehrri i tij ka bërë “ligje për emra te veçantë”, siç e kanë theksuar disa herë raportet e institucioneve ndërkombëtare.

Thellë thellë ky është një proces që ka në qendër të tij Sali Berishën si shkelës ligjesh dhe dhëndrin si përfitues. Nuk është një proces që nis nga Jamarbër Malltezi, por nga Sali Berisha.

Arsyeja pse dhëndri është në qeli dhe Sali Berisha ende në seli, ka të bëjë me faktin se Berisha do të shtyjë nja dy- tri ditë duke u mbrojtur me procedurë.

Përfytyroni tani një njeri që na ka shitur moral për 32 vjet në këtë vend, që i shkon policia në zyrë dhe mbyllet në banjë mos t’i takojë, i shkon në shtëpi dhe u nxjerr komshiun t’u thotë se kam parë sot, i vjen njoftimi publik dhe thërret militantët ta mbrojnë nga burgu…

Ky është Sali Berisha, njeriu që mendon se duke shtyrë nja dy- tri ditë më shumë në liri, mund të poshtërojë drejtësinë shqiptare duke mos ju dorëzuar përsëri.

Por puna është se ato 17 Kullat janë shumë. Ashtu siç e tha dhe ai vetë, nuk janë 5.4 milionë euro, por më shumë. Militantët e tij, e kanë shumë të vështirë të pranojnë që tani të dalin të rrihen rrugëve e të japin jetën për 17 kullat e tij.

U revoltuan boll kur thamë që po merr një kullë të madhe në sheshin “Skënderbej” 64 kate, dhe nuk donin ta besonin.

Tani 17 kullat janë të prekshme. Shumica e atyre që ndjekin Berishën në mitingje janë pa shtëpi dhe ai mendon se janë gati të vdesin për të mbrojtur 17 kullat e tij.

Përveç 5,4 milionë eurove, pasurit e tjera të sekuestruara, shtëpitë në Holandë, e llogaritë në Gjermani, milionat e transferuara çdo muaj për mbesat në Perëndim, vilat në Lalëz të deklaruara dhe të padeklaruara, janë shumë për të besuar që ky njeri duhet ndjekur pas deri në vdekje, se nuk është hajdut.

Ky njeri është thjeshtë një hajdut i rëndomtë, frikacak, i paburrë, i pashpresë dhe mbi të gjitha, i parehabilitueshëm në histori.

Do të iki nga politika, historia dhe jeta fizike në këtë vend, si një hajdut frikacak që ka vrarë për të vjedhur, dhe në fund po tenton të futet dhe në wc që mos të përballet me drejtësinë.

Dhe kur të iki nga kjo jetë, e vetmja pllakë varri që do t’i mbetet mbi tokë janë 17 kullat. Ato do t’i kemi para syve një kohë të gjatë dhe do ta kujtojmë… Si hajdut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!