MENU
klinika

Holger Pedersen

Përkujtohet albanologu i shquar danez

25.10.2023 - 14:57

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot, albanologun danez Holger Pedersen, i cili ndërroi jetë më 25 tetor 1953. “Së pari, lërmëni të them se gjuha shqipe është një gjuhë e një tipi të veçantë”, do të shprehej Pedersen-i për shqipen.

Profesori i Universitetit të Kopenhagenit i kushtoi studimit të shqipes vëmendje parësore. Teza e tij qendrore mbronte prejardhjen e shqipes nga ilirishtja dhe vinte theksin te ndryshimet e papërfillshme midis dialekteve të shqipes, krahasuar me gjuhë të tjera. Pedersen është autor i një sërë librash me rëndësi në lëmin e studimeve gjuhësore. Ka botuar në gjermanisht dhe në danisht një varg studimesh e veprash për gjuhët kelte e balto-sllave, si edhe për shqipen.

Gjatë qëndrimit në Korfuz në vitin 1893, albanologu mblodhi këngë e përralla, të cilat i botoi të përmbledhura në veprën me interes gjuhësore e folklorik, “Albanische Texte mit Glossar”, Lajpcig, 1895 (Tekste shqiptare me fjalor).

Në vargun e botimeve mbi shqipen, publikoi veprat: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894), Tinguj të shqipes (1897), “Asnjanësi i shqipes” (1899), “Grykoret e shqipes” (1900), “Studime për gjuhën shqipe”, Prishtinë, (2003) etj. Në këto botime shkencore, shpjegoi probleme të vështira të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, sistemet nyjore, pronoret e shqipes etj.

DPA publikoi së bashku me fotografinë e albanologut edhe një shkrim të Pedersen-it me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit.