Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar lidhur me ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë me zëvendësimin e avokatëve, me largimin e njërit prej tyre, dhe zëvendësimin ditën e sotme me dy të tjerë.
Berisha ka folur shkurt para selisë blu, teksa ka komentuar avokatin Artan Simoni. Ky i fundit bëri një status kundër ish kryeministrit.
Berisha duke qeshur, e quajti avokatin si “fytyra e vërtetë e Edi Ramës” dhe në vijim e sipër tha se nuk kishte dijeni për dy avokatet që janë caktuar për seancën.
“Kushtetuta dhe vetëm Kushtetuta. E patë ju kush ishte? Fytyra e vërtetë e tyre. Nuk kam asnjë njoftim për avokatët e rinj. Por ai që ishte, ai ishte ekzemplari më i shkëlqyer për fytyrën e Edi Ramës“- tha Berisha.
Ditën e djeshme, kur gjykata caktoi Simonin si avokat kryesisht për Berishën pas largimit nga seanca të dy avokatëve të tij, u shpërnda një status i Simonit që mendohet se i referohet Berishës.
“Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar ta çukasin. Ku gaboi bisha?!” – ishte statusi i Artan Simonit.
Kujtojmë që seanca gjyqësore për ish kryeministrin në GJKKO, në lidhje me akuzat për korrupsion pasiv, për privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”, është shtyrë për në orën 15:00.