MENU
klinika

Akuzat

Veliaj: Jo vetëm Luli, por edhe Jorida Tabaku i dha leje ndërtimi vetes

21.12.2018 - 19:13

Në administratën e kaluar të Bashkisë së Tiranës duket se ka qenë praktikë e të gjithë drejtuesve të saj që t’i jepnin vetes leje ndërtimi.

Kështu, jo vetëm Lulzim Basha i ka dhënë vetes me firmën e tij një leje për ndërtimin e një kati të 13-të në pallatin ku banon, duke shtuar 4 dhoma e madje pa paguar as taksën e ndërtimit në infrastrukturë, por edhe ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku.

Por ndryshe nga shefi i saj, Tabaku ka qenë pak më e rafinuar në këtë drejtim, pasi lejen e ndërtimit nuk ja ka dhënë direkt vetes së saj, por gjyshes. Lajmin e ka dhënë kryebashkiaku Erion Veliaj sot gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku duke iu referuar dokumenteve theksoi se në Bashkinë e Tiranës kjo njihet si leja e Jorida Tabakut.

“E njëjta gjë për lejen e Joridës. Në këtë bashki, kjo njihet si leja e Joridës, pavarësisht se është gjyshja, pastaj babai, por në Bashkinë e Tiranës është e Joridës. Tani unë i them Joridës: Jorida ma nxirr këtë format që unë të kem dhënë një leje në Lanë. Dhe siç e thashë, dhe s’do kishte problem nëse subjekti paguan taksat dhe ka pronat, siç bëhet kudo; taksën që ne e kemi 8-fishuar. Tani ma nxirr ku është ky format, siç e ke marrë lejen ti kur ke qenë nënkryetare, dhe siç e ka marrë Luli për veten e vet kur ka qenë kryetar. Ma gjej këtë format, që unë të kem dhënë një leje të tillë. Unë e kuptoj sikletin e Joridës, kur të ka dhënë tjetri 20 mijë metra katrorë dhe të ka bërë milionere, do dalësh do shash edhe shokët e shkollës, se ça do bësh, do dalësh do mbrosh vezët e Lulit”, tha Veliaj.

Ai shtoi se kjo, ashtu si edhe në rastin e Bashës, është një praktikë që bie ndesh me ligjin e konfliktit të interesit. “Po si ka mundësi, që mund të kesh qenë në administratë, dhe t’i japë leje vetes së vet. Kryetari dhe nënkryetari firmosin vetë. Shkelje e ligjit të konfliktit të interesit. Kjo është dosja që të hënën do të shkojë në Prokurori dhe shpresoj që do marr përgjigje”, shtoi Veliaj.