MENU
klinika

Nga kursi dhe mungesa e fuqisë punëtore

Rritja e industrisë automotive, një garë me pengesa

28.10.2023 - 10:00

Prodhuesit e automobilave duket se kanë hyrë në një cikël më normal prodhimi, duke zgjidhur pjesërisht problematikën e mungesës së komponentëve që u bë shqetësuese më herët. Për rrjedhojë, kjo ka sjellë rritje të kërkesës për produktet që sigurohen nga industria e tyre mbështetëse, një pjesë e vogël e së cilës gjendet edhe në vendin tonë.

Këto kompani, të cilat prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për shoqëri ndërkombëtare raportojnë për ecuri pozitive gjatë këtij viti, edhe pse ritmi i rritjes ka rënë duke qenë më i ulët se ai i viteve më parë.

Shifrat zyrtare të tregtisë së jashtme për 8-mujorin tregojnë se eksportet e periudhës janar-gusht 2022 për grupin “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, ku përfshihen edhe produktet e fabrikave në fjalë, ishin rreth 26.5 miliardë lekë, apo rreth 241 milionë euro.

Në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022 kemi të bëjmë me një rritje prej 5.6%.

Rënia e ritmit të rritjes bëhet e qartë po të krahasojmë 8-mujorin 2022 në raport me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, kur kjo rritje ishte 37%, apo 8-mujorin 2021 në raport me 8-mujorin 2020, me po 37.1%.

Rënia e vetme vihet re në vitin 2020 kur shpërtheu pandemia dhe pavarësisht kësaj, puna vijoi, por rënia në raport me 8-mujorin 2019 ishte me 10.5%.

Sipas shifrave të INSTAT, ky grup e mbylli vitin 2022 me vlerë prej 360 milionë eurosh.

Kërkesa nga prodhuesit e automobilave është rritur

Viti 2023 parashikohet të mbyllet me një bilanc prodhimi të rritur në volume në raport me vitin 2022. Mario Scarfalloto, menaxher i SEWS CABIND Albania nënvizon se ka një lloj stabilizimi që vihet re te prodhuesit e automobilave që mbështet këtë kërkesë.

“Klientët tanë kanë filluar ta zgjidhin problemin e mungesës së komponentëve dhe gjithashtu prodhimi i tyre është bërë më i qëndrueshëm, sesa ishte gjatë periudhës pas pandemisë.

Si rrjedhojë e kësaj, edhe ne mund të stabilizojmë dhe rrisim linjat tona të prodhimit që tashmë janë instaluar”, – thekson ai.

Ngërçet e shfaqura në industrinë e automobilave vit pas viti, të nisura që nga pandemia e më pas rritja e perceptimit të rrezikut nga lufta Rus-Ukrainë nuk e kanë bërë të thjeshtë punën për kompanitë mbështetëse.

Gjithsesi kanë arritur të mbajnë trendin e rritjes së parashikuar më herët.

“Viti 2023 ka qenë pozitiv në lidhje me kërkesën për produktet tona. Ndonëse situata gjeopolitike nuk ka qenë pozitive dhe rrjedhimisht perceptimi i rrezikut në biznes ka qenë i lartë, kjo nuk është reflektuar në kërkesë.

Përkundrazi, kërkesa ka qenë në mënyrë të vazhdueshme edhe më e lartë se parashikimet e buxhetuara. Kjo mbase e ndikuar edhe nga ngadalësimi i prodhimit në vitet e kaluara”, – vlerëson Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i Delmon Group Shqipëri.

Punonjësit, qarkullimi i lartë ul produktivitetin, mund të frenojë zgjerimet

Numri i kompanive të industrisë automotive në vendin tonë është rritur vit pas viti, ku pas Forschner dhe PSZ Albania erdhën me radhë Yura Corporation, e vendosur në Fier, Delmon në Elbasan, SEWS CABIND në Tiranë, si dhe Everest Automotive, e cila në faqen e saj njofton se prodhon pjesë automobilistike.

“Cilësia e parë e aluminit nga industria jonë përdoret për të krijuar pjesë të ndryshme të automobilave, si dyert e makinave, kabinat dhe deri në krijimin e pjesëve të anijeve, përfshirë dritaret dhe më tepër”, – thuhet në faqen e kompanisë.

Një industri e kësaj natyre kërkon një numër të lartë punonjësish, teksa shumica janë zgjeruar shpejt, duke stabilizuar disa fabrika në një hark të shkurtër kohor.

Ky është rasti i SEWS CABIND Albania që në tre vite ka hapur tre fabrika dhe duket se forca punëtore e nevojshme për vijimin e këtij zgjerimi është pikëpyetja më e madhe që ka si çdo industri tjetër në vend.

“Zgjerimi vazhdoi dhe falë përpjekjeve vërtet të shumta të ekipit tonë, arritëm të hapim fabrikën tonë të tretë, e cila do të lejojë SEWS CABIND Albania të zgjerojë gjurmën në një sipërfaqe totale prodhimi të konsiderueshme.

Fabrika e tretë është një mundësi për të prezantuar linja të reja prodhimi dhe për të rritur numrin e punonjësve (nëse arrijmë t’i gjejmë).

Objektivi i numrit të punonjësve që synojmë të arrijmë në dy vjet është rreth 2300 persona”, – pohon z. Scarfalloto.

Mungesa e një numri stabël punonjësish, ku largimet dhe punësimet mbeten të larta, ka rritur kostot e kompanive për trajnimin e burimeve njerëzore, duke ndikuar edhe te produktiviteti.

“Vështirësia në garantimin e fuqisë punëtore është bërë një problem konstant. Përveç vështirësisë që krijon në planifikimin e prodhimit rreziku i mosgjetjes së punonjësve, është e rëndësishme të nënvizohet një efekt tjetër negativ i krijuar, që është rënia e produktivitetit.

Turnover-i i lartë i punonjësve (numri i punonjësve që janë larguar në raport me numrin e punonjësve në fillim të vitit plus atij në fund të vitit), të karakterizuar nga rritja e emigrimit dhe vështirësia në zëvendësimin e tyre ka shkaktuar edhe uljen e detyruar të kritereve në përzgjedhje dhe rrjedhimisht, rënien e produktivitetit” vlerëson z. Çabiri.

Euro përkeqëson situatën e eksportuesve, përfshirë industrinë automotive

Prodhuesit e telave, kabllove, gominave apo çdo pjese tjetër që është e destinuar për eksport hasën këtë vit një tjetër problem siç ishte zhvlerësimi i dukshëm i Euros.

Grupet që eksportojnë, nga fasonët tek industria automotive apo dhe fusha të tjera, nënvizojnë se humbjet nga kjo situatë janë të mëdha.

Nëse situata do të kthehet edhe një herë te vera e 2023, kur konvertimi i 1 euro iu afrua 100 lekëve, situata pritet të jetë edhe më e vështirë.

“Për eksportuesit, forcimi i Lekut ka një efekt negativ drejtpërdrejt në kosto, duke ulur aftësinë konkurruese në krahasim me kompanitë që operojnë jashtë.

Është e qartë që të ardhurat tona të cilat janë në Euro, vlejnë gjithnjë e më pak në Lek, duke zvogëluar marzhin EBITDA dhe duke lënë gjithnjë më pak hapësira investimesh kapitale.

Kjo ndikon edhe në konkurrueshmërinë në afatgjatë, që varet shumë nga aftësia për të investuar në teknologji të reja” nënvizon z. Çabiri.

Edhe për z. Scarfalloto, ndikimi ka qenë i madh në aspektin financiar çdo muaj, për shkak të ndryshimit të kursit të këmbimit por edhe të mungesës së një stabiliteti të tij.

“Nëse do të kthehemi sërish te niveli më i ulët që prekëm këtë verë, do të vuajmë sërish”, – vlerëson ai.

Makinat elektrike, rritja e kërkesës do të zgjerojë portofolin e produkteve

Rritja e kostove thuajse në çdo aspekt, nga lëndët e para tek energjia, sollën rritje të kostove të produkteve finale, që nisi në post-pandemi dhe vijon ende.

Sektori i automobilave nuk i shpëtoi këtij efekti zinxhir, duke rritur ndjeshëm çmimet, por pavarësisht kësaj, kërkesa ka vazhduar të rritet.

Tregu mbetet dinamik dhe me ndryshime të shpejta, të cilat po përqafohen nga prodhuesit e automobilave e që rrjedhimisht do të duhet të ndiqen edhe nga fabrikat e tyre mbështetëse që i furnizojnë me pjesë.

Pritshmëria është që makinat elektrike të jenë një nga segmentet që do të shfaqin ecuri më të qëndrueshme.

“Bota e automobilave po ndryshon me shpejtësi; Zhvillimi i EV (makinave elektrike), AI (Inteligjenca Artificiale) duke fituar vrull, fokusi ESG, të gjitha janë gjithnjë e më të pranishme në biznesin e prodhuesve të automobilave.

Është e kuptueshme se ata presin që të gjithë furnizuesit të ndjekin shembullin. Ndonjëherë kjo kërkon një ndryshim drastik në vizion, nga ulja e kostove dhe fitimi si prioritet, në një vizion për mbajtjen e kostove të qëndrueshme dhe investime në burime, për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm, p.sh. instalimi i paneleve diellore për të gjeneruar energji”, – shprehet z. Scarfalloto.

Rritja e peshës së makinave elektrike në totalin e mjeteve duket se do të japë efekte edhe në Shqipëri, ku një fraksion i vogël i produkteve prodhohen nga fabrikat e vendosura këtu.

“Një tjetër trend i rëndësishëm është kalimi drejt përdorimit të makinave elektrike. Kërkesa dhe prodhimi për këto të fundit me kalimin e kohës po rritet dhe për kompanitë si Delmon Group, kjo përkthehet në një ndryshim të portofolit të produkteve.

Vetëm pak ditë më parë, u prezantuam me një projekt të ri në fabrikën e Shqipërisë, që do të mbulojë prodhimin e një pjese për dy modele të reja të makinave elektrike të një marke shumë të njohur gjermane për 5 vjet.

Ky projekt pritet të fillojë në 2025 dhe do jetë i barabartë në volume me mbi 50% të prodhimit aktual.

Ndërkohë produktet për makinat me djegie të brendshme do të pësojnë sigurisht rënie. Si përfundim, planifikimi i ndryshimit të portofolit ka filluar me hapa të shpejtë”, – pohon z. Çabiri.

Marrë nga Monitor.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkak pandemia, lufta dhe…

Tregu në ’emergjencë’ për punonjës!


Guvernatori takim me ekipin e Bankës Botërore

Çfarë garanton anëtarësimi i vendit në SEPA?

“Përveç atij të fundvitit do të marrin edhe në pranverë!”

Rama: Dy bonuse në vit për pensionistët

Rroga mesatare në sektorin privat ka vijuar të rritet, por…

Shqiptarët po punojnë më shumë dhe po paguhen “më pak”!