“Drita jeshile” për operacionin tokësor të ushtrisë izraelite është vonuar më shumë sesa pritej. Pothuajse tre javë pas masakrës së Sukkot dhe pas fjalimit të mbajtur para kombit nga kryeministri Benjamin Netanyahu, hyrja e forcave Tsahal në Rripin e Gazës dukej se ishte e afërt. “New York Times” raporton tani se vonesa varet nga pasiguritë e Bibit dhe ndarjet e brendshme brenda qeverisë së Tel Avivit, të cilat thuhet se po e zhysin në krizë marrëdhënien tashmë të vështirë midis klasës politike dhe ushtrisë. Nevoja për të mbrojtur mbi 200 pengjet në duart e Hamasit dhe organizatave të tjera të lidhura me të do të shpjegonte vetëm pjesërisht vazhdimin e bombardimeve dhe pritjen për atë që konsiderohet beteja përfundimtare kundër militantëve islamikë që kanë kontrolluar Rripin që nga viti 2007. Disa anëtarë të qeverisë shohin me shqetësim mundësinë që Hezbollahu t’i bashkohet konfliktit duke hapur një front të dytë në veri, edhe më të rrezikshëm se ai në kufirin jugor. Megjithatë, tani duket se pala izraelite “është zgjuar”.
Paralajmërimi i Izraelit
Kundëradmirali Daniel Hagari në një konferencë, mbrëmjen e djeshme, njoftoi se ushtria është “e përgatitur në të gjitha frontet” për të ruajtur sigurinë e Izraelit dhe do të zgjerojë operacionet e saj tokësore. “Përveç sulmeve të kryera në ditët e fundit, forcat tokësore po zgjerojnë operacionet e tyre”, tha ai duke shtuar se “IDF po vepron në të gjitha dimensionet.” “Ne do të vazhdojmë të sulmojmë në Gaza dhe rrethinat e saj,” shtoi ai. Ai tha se ushtarët e IDF janë në “gatishmëri të lartë” përgjatë kufirit verior dhe forcat kanë “qëlluar qelizat” në të gjithë atë. “Në frontin e brendshëm, ju bëj thirrje që të vazhdoni t’i përmbaheni udhëzimeve të komandës së frontit të shtëpisë,” tha ai, duke shtuar se po punohet për të përmirësuar një aplikacion alarmi që përdoret nga qytetarët. Gjithsej 310 ushtarë të IDF janë vrarë deri më tani, njoftoi Hagari, dhe 229 persona janë mbajtur peng nga Hamasi.Ngjarjet që po zhvillohen në Gaza tani janë “diçka me përmasa më të mëdha” nga sa kemi parë për disa javë, tha korrespondenti i Lindjes së Mesme pë “Sky News”, Alistair Bunkall. Bunkall tha se ajo që ne dimë tani për tani është se ka “një bombardim të plotfuqishëm në Gaza”. Referuar njoftimit të Hagarit, ai tha: “Kjo do të thotë se pas dy netëve të fundit ku ne kemi parë ushtrinë izraelite të hyjë në Gaza në një mënyrë mjaft të kufizuar, kjo do të sugjeronte se ndoshta do të ketë diçka më të madhe. “A do të thotë kjo se pushtimi tokësor që është premtuar nga të gjithë është gati të ndodhë? Ndoshta”, tha ai. Bunkall thotë se nëse do të ndodhte një pushtim tokësor, ai do të habitej që Benjamin Netanyahu të mos thoshte asgjë pasi kryeministri izraelit e ka bërë “shumë të qartë” se do të ishte një vendim për të dhe kabinetin e luftës.
Selia e Hamasit në spital
Përgjigja e ashpër izraelite erdhi pasi ushtria e vendit akuzoi lëvizjen islamike Hamas për përdorimin e spitalit kryesor në Gaza si mburojë për tunelet dhe qendrat e saj operacionale. “Hamasi i ka kthyer spitalet në qendra komandimi dhe kontrolli dhe streha për terroristët dhe komandantët e Hamasit”, tha në një konferencë shtypi kundëradmirali Daniel Hagari, zëdhënësi kryesor ushtarak i Izraelit. Ai tregoi fotografi dhe regjistrime audio që ai tha se tregonin se si Hamasi po përdorte sistemin spitalor dhe Spitalin Al Shifa në veçanti për të fshehur një sërë pikash komanduese dhe pika hyrëse në rrjetin e gjerë të tunelit nën Gaza. “Terroristët e Hamasit veprojnë brenda dhe nën spitalin Shifa dhe spitale të tjera në Gaza”, tha ai.Zyrtari i Hamasit, Ezzat El-Reshiq, një anëtar i byrosë politike të lëvizjes, tha në Telegram: “Nuk ka asnjë bazë të vërtetë në atë që u raportua nga zëdhënësi i ushtrisë armike”, duke akuzuar Izraelin për përhapjen e gënjeshtrave si “një prelud për kryerjen e një masakre të re kundër popullit tonë”. Deklaratat e Hagarit sidoqoftë nuk mundën të verifikoheshin. Ushtria izraelite ka akuzuar rregullisht Hamasin për vendosjen e qendrave udhëheqëse dhe operacionale në zona të banuara ose përreth shkollave apo spitaleve.