Bombardimet e Izraelit në drejtim të Gazës, vazhdojnë pa pushim. Kaluan 3 javë luftë deri tani, nga ku thuajse 10 mijë vetë kanë mbetur të vdekur, edhe pse autoritetet izraelite dhe ato palestineze thonë se viktimat janë shumë më shumë. Numri më i lartë i viktimave është regjistruar mes fëmijëve. Jomana Karadsheh, gazetarja e CNN, sjell historinë e vuajtjes së fëmijëve dhe prindërve të tyre, që duket se po bëjnë çdo përpjekje, për të shpëtuar të vegjlit e tyre, nga enklava dikur e populluar nga mbi 2 milionë banorë. CNN paralajmëron se pamjet janë shqetësuese por video tregon qartë atë që mijëra familje po vuajnë çdo orë.
Është e vështirë të besoj se kjo ishte Gaza, pak javë më parë, i vogli Noor, veshur bukur, duke kërcyer me vëllain e tij në një dasmë. Nëna e saj, Vesal, sot ende nuk e beson se i biri, nuk jeton më. VESAL “Më mbante dorën në momentet e fundit, e mbaja afër teksa i përgatisja një sanduiç, nuk donte të hante asgjë, vetëm qante. Pastaj erdhi raketa. Tani ai është në parajsë. Zoti më ka dhënë forcë që ta përballoj këtë humbje”.
Nga sulmi ajror, 6-vjeçari Noor mbeti i vdekur, ndërsa pjesa tjetër e familjes, mbetën të plagosur, me shenja në të gjithë trupin. Kjo është dhimbja e vazhdueshme e çdo nëne në Gaza, prej 3 javësh tashmë.
“Nuk e di edhe sa do duroj zemra ime, nuk mundem as të qaj. Dua vërtet të qaj por thjesht nuk mundem. Dua vetëm të qaj për të voglin tim”, thotë Vesal.
Teksa vazhdon të marrë trajtim në spital, Vesal thotë se dëshiron të kthehet tek familja dhe 3 fëmijët e tjerë, pa harruar që sot janë të pastrehë. Do të qëndrojnë në strehën e një shkolle. Mbigaza po pikon ferri, thonë banorët. Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, deri në militantin e fundit dhe thotë se po bën gjithçka mundet, për të kursyer të pafajshmit. Janë të pafajshmit që sot po paguajnë çmimin më të rëndë, edhe në ato pak spitale, që ende kanë mbetur funksionale, për të ofruar sadopak ndihmë. Janë pamje të rënda, kudo, në spitale, fytyra që tregojnë vështirësinë e të mbijetuarit, ndonëse ende jetojnë në makth e nuk munden të shpëtojnë. 3-vjeçarja, Joudi, nuk flet prej 16 ditësh. Nuk ka nxjerrë asnjë fjalë nga goja. Babai i saj thotë se as nuk pranon të hajë apo të pijë. Prej 16 ditësh është nën shok. Një raketë mbi shtëpi, e lëndoi në kokë.
“Çfarë kanë bërë këta fëmijë. Ne s’kemi asnjë lidhje me Hamasin. Por Izraeli po na shënjestron të gjithë palestinezëve. Po vrasin fëmijët tanë, vetëm sepse janë palestinezë. Për ta, ne nuk jemi njerëz”, thotë Ahmed.
Ata nuk e dinë, nëse e vogla do të jetë në gjendje të ecë përsëri. Joudi është një nga fatlumet, që raketës i shpëtoi dhe që sot ka edhe të atin në krah. Arva, vazhdon të kërkojë të ëmën, është shumë e vogël për të kuptuar se çfarë i thonë të tjerët. Por Arva, nënën e ka humbur, edhe vëllain, edhe të motrën. Në telefon i kërkon sipas fotove.
Këto janë historitë e dhimbshme, që i sheh dhe i gjen në çdo cep të këtij spitali. Dareen vetëm qan, prej ditës, thonë të afërmit. Qëndron në një dhomë me Kinan, të vëllain 7-vjeçar. Janë vetëm nga 2 të mbijetuarit e familjes, ku nga raketat mbi shtëpi mbetën të vrarë nëna, babai, vëllai dhe mbi dhjetë anëtarë të tjerë të familjes. Edhe Kinan nuk flet shumë këto ditë.
“Më pyet vazhdimisht, a kemi internet. Dua të flas me mamin e babin”, thotë Yousra.
Mjekët në këto ditë të vështira për spitalin e tyre, pranojnë se janë të fokusuar kryesisht tek fëmijët që tashmë kanë mbetur pa prindër e pa familje. Gjithsesi mundohen të kujdesen për të gjithë të plagosurit. Bëjnë ç’të munden, me aq pak sa kanë.