MENU
klinika

Nga “bombat” sfungjer tek mikrorobotët

Pse bota po çuditet nga armatimet e Izraelit?

30.10.2023 - 14:17

Në ditën e 23-të të luftës në Lindjen e Mesme, situata duket më shumë si film, jo si një ngjarje që po zhvillohet në vitin 2023, në një cep të botës, kur disa njerëz që kanë pushtet, duhen bindur se fëmijët nuk duhet të vriten dhe se të pafajshmit nuk duhet të paguajnë. Sipas Izraelit, konflikti kundër Hamasit ka hyrë në një fazë të re: dy ditë më parë trupat izraelite hynë në Gaza për të kryer operacione tokësore në Rripin e Gazës, por ushtria dhe qeveria ende refuzojnë të përcaktojnë inkursione të tilla si pushtimin që u premtua nga udhëheqësit ushtarakë dhe shtetërorë. Përleshje të dhunshme mes ushtrisë izraelite dhe milicëve të Hamasit raportohet se kanë ndodhur në dalje të një tuneli në veri të Rripit të Gazës. Dhe sirenat e alarmit nuk reshtin së tingulli në fshatrat përreth Gazës, dhe mesa duket do të jetë tingulli që do ta dëgjojnë edhe për shumë gjatë.

Faza e dytë e luftës

Ushtria izraelite “po kalon në fazën tjetër të luftës kundër Hamasit në Gaza nga ajri, toka dhe deti”, thotë zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari. I dërguari i OKB-së për të drejtat e njeriut Volker Türk paralajmëroi përsëri se operacionet tokësore në Gaza do të çojnë në mijëra vdekje të tjera. Një numër i madh i të vdekurve dhe të plagosurve janë varrosur në rrënoja. “Erë e keqe e vdekjes është kudo – në çdo rrugë dhe çdo shtëpi,” tha për AFP mjeku Raed al-Astal nga Khan Younis në Gazën jugore. Natën e së shtunës, pas sulmit më të fortë ajror që prej 7 tetorit, ushtria izraelite filloi një pushtim tokësor të Gazës, e cila mbeti pa energji elektrike dhe telekomunikacion, duke vështirësuar shumë situatën për ekipet e shpëtimit pasi viktimat nuk mund të thërrisnin ndihmë. UNRWA, agjencia e ndihmës e OKB-së për refugjatët palestinezë, njoftoi se më shumë se 50 anëtarë të stafit të saj u vranë në sulmet dhe aftësia e tyre për të vepruar është dobësuar rëndë.

Strategjia e Izraelit

Strategjia e IDF-së, për momentin, duket e fokusuar në izolimin e pjesëve të enklavës palestineze: popullsisë i është bërë thirrje të shkojë në pjesën jugore të Rripit, e cila duhet të ndahet nga zona veriore ku do të zhvillohen shumica e luftimeve. Zona nga Wadi Gaza deri në kufirin verior duhet të ndahet më pas në “sheshe” me anë të parregullta, brenda të cilave ushtarët izraelitë do të neutralizojnë njësitë armike shtëpi për shtëpi.Tani që është hyrë në “një fazë të re”, grupet prej rreth 100-200 ushtarësh, do të synojnë të shkatërrojnë ndërtesa dhe struktura të larta të afta për të ndihmuar terroristët në betejën e gjatë për kontrollin e Rripit. Krahas këtyre grupeve të betejës, buldozerët e blinduar do të mbulojnë hyrjet në strehëza dhe do të ngrenë barriera në rast se Hamasi do të përdorë kamikazët. Shumica e ushtrisë së thirrur për të luftuar këtë luftë janë rezervistë, ekipe speciale që nuk do të luftojnë në front, por do të përdoren për misione specifike si eliminimi i objektivave të nivelit të lartë.

Armët e Izraelit

Siç shkruan britanikja “The Telegraph”, Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) po testojnë bomba kimike që nuk përmbajnë eksploziv, por përdoren për mbylljen e vrimave apo hyrjeve në tunele nga të cilat militantët mund të dalin. Trupat ka të ngjarë të përballen me një betejë të përgjakshme në rrjetin e tuneleve të njohur si “Metroja e Gazës”. Besohet se rrjeti i tuneleve është qindra kilometra i gjatë dhe plot kurthe. Ekipet e specializuara të Korpusit të Inxhinierëve të IDF janë të pajisur me sensorë tokësorë dhe ajrorë, radarë depërtues në tokë dhe sisteme speciale shpimi për të lokalizuar tunelet. Janë zhvilluar gjithashtu pajisje të reja radio, të optimizuara për funksionim në kushte ekstreme nën tokë. Izraeli mund të përdorë gjithashtu robotë dhe dronë për të ndihmuar në lundrimin e tuneleve. Dronët mikrozbulues , të cilët përshtaten në pëllëmbën e dorës, mund të përdoren gjithashtu, por do të vuajnë në një mënyrë të ngjashme me dobësimin e sinjalit të radios. Po ashtu, Izraeli ka krijuar MTGR, një “robot tokësor mikro taktik” që mund të ngjisë shkallët dhe është projektuar për t’u operuar nga ushtarët në ndërtesa dhe shpella.