Ana Shtjefni, administratorja e kompanisë që ka kontratë qiramarrje me provincën françeskane në Kepin e Rodonit tha se provinca françeskane në janar të këtij viti ka prishur në mënyrë të njëanshme kontratën.
Ajo tregoi se disa persona kanë shkuar në pronën e marrë me qira prej tyre duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke e kërcënuar atë me jetë.
“Kanë që në gusht që vijnë të ruajnë pronën, por në fakt kanë vijuar të bëjnë punime. 2 muaj kanë qenë me shkopinj, me sëpatë, unë jam kanosur me jetën, me mjete të rëndë. Rojat thonë që e ruajnë pronën me urdhër të shefit të madh, që ai thotë është prifti. Ka një vendim gjykate dhe marrëveshja nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme”, tha ajo në emisionin Now në Euronews Albania.
Kujtojmë se 8 persona mes të cilëve dhe ish-deputeti, Mark Frroku u arrestuan pak ditë më parë pas një konflikti me armë për pronën tek Kepi i Rodonit. Të arrestuarit u lanë në masën “Detyrim paraqitje” nga gjykata e Durrësit ditën e sotme.
Si përfaqësues të kishës, u arrestuan ish deputeti Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.
Konflikti me palën tjetër ka nisur në lidhje me mosmarrëveshjet mbi një pronë për të cilën të dyja palët pretendojnë pronësinë pasi janë të pajisura me certifikatë.