MENU
klinika

Ylli Pata

Çfarë kërkon të arrijë Berisha me revolucionin e karrikeve?

03.11.2023 - 12:34

Shpallja i pandehur dhe nisja e hetimit nga SPAK për Sali Berishën, është një goditje politikisht fatale. Sipas të gjitha gjasave në sondazhet që bëjnë periodikisht politikanët kryesorë në Shqipëri, rezultati është mjaft më dërrmues së ai i 14 majit.

Hetimet penale, hyjnë në ato ngjarje politike që për një politikan shënojnë “pikën fatale”. Që do të thotë, që përbëjnë fazën e rënies të lirë në mënyrë të pashmangshme. Ku asnjë forcë apo zhvillim mund t’i kthejë mbrapsht.

Kjo ndodh natyrisht vetëm nëse politikani që goditet penalisht fiton betejën gjyqësore në favor të tij, mbështetjen ndërkombëtare, por natyrisht edhe besimin e elektoratit.

Procesi ndaj Fatos Nanos në vitin 1993 nuk lëkundi për asnjë moment besimin e ndjekësve të tij se ai ishte një process i montuar. E përveç atyre ndjekësve me bindje të plotë pra militantëve, mbështetja për Nanon nisi të rritet në mënyrë eksponenciale, sa për një kohë jo të gjatë, ai edhe pse i izoluar në burg arriti të zgjerojë aleancën e tij politike drejt qendrës, të rrisë mbështetjen tek elektorati gri, e kështu të vijë natyrshëm drejt pushtetit. Që në vitin 1997 e mori në mënyrë plebishitare.

Ndërkaq, Sali Berisha, ndodhet fiks në atë fazë të situatës së tij politike, kur është i izoluar nga Perëndimi, i dobësuar nga mbështetja politike, e me një akuzë zyrtare nga SPAK, me të tjera në rrugë, e ku rrugët për të ecur nuk se janë shumë.

E kur shikohet ky aksion që po ndërmerr në Kuvend, vjen spontane pyetja: çfarë kërkon Berisha, me kë kërkon të flasë? Cili është mesazhi që dërgon?

Një lëvizje përplasëse natyrisht bëhet për të marrë një rezultat në tavolinë. Por për një opozitë ajo që kërkohet të arrihet, është ose rrëzimi i qeverisë e zgjedhje të parakohshme, ose një marrëveshje për të përfituar diçka në negociata.

Ndërkaq, një lëvizje ekstreme në Parlament, do të ishte e panevojshme nëse opozita do të kishte një mbështetje publike, e mund të kryente protesta të mëdha e të fuqishme në sheshe. Këto të japin më pas impaktin e një avancimi politik në zgjedhjet më të ardhshme.

Por ajo që duket se është synimi i Sali Berishës nuk ka lidhje as me mazhorancën e as me qeverinë. E cila në një farë mënyre po e lë që Berisha të shprehet me gjuhën që do ai. Siç thoshte me të drejtë Erion Braçe, Sali Berisha i drejtohet SPAK e GJKKO-së në këtë aksion të tij. Por për çfarë? Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur e nuk ka fuqi ta zhbëjë më as Berisha e as askush. Pra hetimi për klubin Partizani dhe vendimet që ka marrë gjykata për masat e sigurisë dhe sekuestrimin e pronave.

Këtu, gjasat janë se në lojë është mos hapja e hetimeve të tjera. Dosjeve të tjera që aktualisht ndodhen gati në përfundim prej prokurorëve, e mund të rezultojnë një front më shumë se shkatërrimtar. Po sa do ta zgjasë Berisha këtë aksion në Kuvend, apo edhe në institucione të tjerë. Tashmë, ai nuk ka asnjë mundësi tjetër.

Një opozitë normale, ardhjen e buxhetit të shtetit në Parlament, do ta kishte momentumin ideal për të folur me elektoratin e saj dhe atë të kundështarit, ku të rrëzojë ndarjen e parave nga qeveria, e të kërkojë një mënyrë tjetër shpenzimesh, sin ë aspektin e investimeve, ashtu edhe në financimet publike. Madje edhe në rastin aktual, Berisha mund të bënte zhurmën për rastin e tij penal, port ë mos e linte bosh fushën e betejës për buxhetin.

Sepse pikërisht debate për buxhetin është komunikimi bazë që një opozita ka me elektoratin dhe që lëshon shpresën për të përmirësuar gjërat. E Berisha, si një politikan me përvojë, e di që sikur të flasë si të duash për atë se si do t’i shpenzonte 7 miliardëshin e ardhur në parlament, askush nuk do t’ja vinte pullën. Ngase fuqia potenciale po i shterret ditë pas dite. Ndaj ngre tonet, për të ndalur sadopak këtë shterrje. Si ai që para një vërshimi të madh, mundohet sadopak që të ulë fuqinë e tij, duke vendosur thasë rëre e gurë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin