Numri i të vdekurve nga stuhia Ciaran, e cila ka çuar në shira të dendur dhe erëra rekord në të gjithë Evropën Perëndimore, u rrit në të paktën 16, të premten.
Ndërkohë, zona të mëdha të Toskanës në Itali u goditën gjithashtu nga përmbytjet duke nxitur zyrtarët të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme pasi specialistët e motit raportuan reshje rekord.
Të paktën gjashtë persona janë vrarë në rajonin qendror të Toskanës, thanë zyrtarët italianë, të premten pasi erërat e forta dhe shiu goditën Italinë qendrore.
Kushtet ekstreme ishin të lidhura drejtpërdrejt me stuhinë Ciaran.
Në Toskanë, makinat u përmbytën nga pasi lumi Bisenzio doli nga shtrati, ndërsa njerëzit u ngjitën në çati për t’i shpëtuar përmbytjes.
Shërbimet e shpëtimit në Itali morën gjithashtu dhjetëra thirrje për incidente në të gjithë rajonin për të ndihmuar shoferët e bllokuar në tunele të përmbytura ose të rrethuar për shkak të pemëve të rrëzuara mes erërave të forta.
Guvernatori i Toskanës, Eugenio Giani e përshkroi shiun e dendur si “të paprecedentë” dhe pas një takimi me kryeministrin Giorgia Meloni shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për zonat më të goditura të rajonit.
Mes të vdekurve ishte një burrë 85-vjeçar i gjetur i mbytur në katin e parë të shtëpisë së tij në Montemurlo, në veriperëndim të Firences. “Ajo që ndodhi sonte në Toskanë ka një emër: ndryshimi i klimës,” tha Giani në një postim në X.
Rreth 190 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në qytetin historik të Firences.
Në Campi Bisenzio, pronat e katit përdhes u dëmtuan, makinat e parkuara ishin gjysmë të zhytura në ujë dhe zyrtarët e shpëtimit lundruan në rrugët e përmbytura me varka gome.
Kryetari i Bashkisë së Firences Dario Nardella e përshkroi situatën si “kritike” pasi niveli i lumit Arno vazhdoi të rritet. Në qytetin italian, një burrë dhe gruaja e tij u gjetën të vdekur pasi makina e tyre u përmbys në Vinci, në perëndim të Firences.
Kryeministri italian ka njoftuar një paketë fillestare të ndihmës shtetërore prej rreth 5.4 milionë dollarë për rajonin.
Të paktën tre persona u raportuan gjithashtu të vrarë në brigjet e Portugalisë të premten pasi një varkë me vela me flamur danez u përmbys në një plazh në Santa Cruz në veri të Lisbonës, tha një zëdhënës i marinës.
Në qytetin belg të Gentit, një djalë 5-vjeçar ukrainas dhe një grua 64-vjeçare u vranë për shkak të rënies së degëve të pemëve. Në Francë, një shofer kamioni mbeti i vrarë kur një pemë ra mbi të dhe zyrtarët lokalë raportuan gjithashtu një vdekje të dytë në qytetin Le Havre.
Rënia e pemëve shkaktoi vdekjen e një gruaje në kryeqytetin spanjoll Madrid dhe një tjetër në jug të Holandës.
Që nga mëngjesi i së premtes, më shumë se 500,000 shtëpi në Francë mbetën pa energji elektrike, tha zëdhënësi i qeverisë Olivier Veran.
Shërbimi kombëtar francez i motit, Meteo-France shkoi në X dhe tha se shpejtësia e erës në Brittany ishte “të jashtëzakonshme” dhe “shumë pemë janë thyer”.
Shërbimet ajrore, hekurudhore dhe trageteve vazhduan të dëshmojnë anulime dhe vonesa të gjata në disa vende evropiane.